Kush është drejtori i ri i përgjithshëm i RTSH?

 
 
Prej dy vitesh RadioTelevizioni Shqiptar nuk ka një drejtor të zgjedhur sipas ligjit. Procesi i fundit i votimit dështoi me sukses përgjatë tre raundeve për të zgjedhur emrin e ri që do të drejtojë institucionin mediatik më të madh publik. Në garë ishin dy emra, artisti Petrit Malaj dhe gazetari Thoma Gëllçi. Tre raundet e votimit në muajin qershor nxorën në dukje jo vetëm defektet e një ligjit politik për funksionimin e RTSH-së, por probleme juridike të vetë këtij ligji. Problemet politike kanë të bëjnë me mënyrën sesi zgjidhen anëtarët e Këshillit Drejtues të RadioTelevizionit Shqiptar. Nga këshilli zgjidhet drejtori i përgjithshëm e drejtori zgjedh gjithë hierarkinë drejtuese të kësaj media që duhet të jetë i Publikut. Deri tani nuk ka qenë aspak i tillë, pra i Publikut.
 U pa edhe njëherë se nëse këshillin drejtues e zgjedh me propozime partiake, edhe votimi do të jetë i tillë, partiak dhe i llogaritur sipas humorit të kryetarëve të partive. Sado profesionistë të jenë anëtarët e Këshillit, kur firmën për emërimin e tyre e kanë partitë, nuk mund të presësh shumë. Ndonëse në disa prej emrave të zgjedhur në këtë Keshill Drejtues nga Parlamenti, janë emra pa asnjë CV apo lidhje me Televizionin Publik. PD-ja voton për emrin e saj për drejtor dhe PS-ja të vetin. Askush s’e ka hallin se çfarë ndodh me RTSH-në, funksionimi i të cilit mbahet me lekët që dalin nga xhepat e shqiptarëve dhe jo të partive.
Mjafton të shihet mënyra sesi ka votuar Këshilli Drejtues për kandidaturat gjatë muajit qershor. 11 anëtarë të Këshillit Drejtues të TVSH-së përfaqësojnë pesë opozitën dhe pesë mazhorancën. Vota e 11-të është ajo e Kryetarit të Këshillit i cili zgjidhet nga Parlamenti me shumicë votash, pra nga PS. Sipas ligjit, Drejtori i ri duhet të marrë 7 vota. Në garë për drejtor ishin 20 kandidatë, nga të cilët, vetëm 3 u bënë pjesë e garës në 3 votime. Në votimin e parë Artur Zheji mori 1 votë, Petrit Malaj 5 vota dhe Thoma Gëllçi 5 vota. Në votimin e dytë, Malaj mori 6 vota dhe Gëllçi 5. Në votimin e tretë, Thoma Gëllçi mori 6 vota e Malaj 5. Asnjë kandidat nuk arriti të marrë 7 votat e nevojshme. Institucioni i Këshillit  Drejtues prej disa muajsh është në ngërç dhe ende nuk ka një zgjidhje për këtë situatë. Drejtuesit e Komisionit të Mediave kanë deklaruar se në vjeshtë do të ketë një tjetër votim të Këshillit. Kryeministri Edi Rama, deklaroi disa javë më parë se në shtator, do të ketë dhe një përpjekje për kompromis për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm.
Por nëse konsensusi nuk ndodh? Mazhoranca duket se ka dhe një skenar për këtë rast. Prej disa kohësh është hedhur në diskutim ideja e shkrirjes së Këshillit Drejtues të RTSH-së, në rast se nuk arrin të zgjedhë drejtorin. Deputetët e majtë duket se e kanë gati ndryshimin ligjor për të zgjedhur drejtuesin e ri të TVSH-së me skemën e re, ku nëse nuk arrihet votimi me 2/3 e votave atëhere në votimin e fundit zgjidhet me 50+ 1 për qind të votave, pra nga PS!  Me një fjalë drejtor partiak në një institucion publik të pavarur.  Pavarësisht se shihet si një zgjidhje, sërish konsensusi do të mungojë, pasi kemi të bëjmë me një vendim që do të merret vetëm nga mazhoranca.
Fakti është se prej dy vitesh institucioni nuk ka një drejtor të përgjithshëm dhe zgjedhja e tij është peng i pazareve politike.
Në thelb ky ligj është antiligj për nga mënyra se si është bërë për të funksionuar RTV Publik. Plus kësaj që nuk lejon figura mediatike apo publike që të kandidojnë hapur e të ketë një Keshill Drejtues i përbërë nga figura të mëdha të medias, që kanë deshmuar pavarësi nga partitë, të cilët më pas kalojnë në provim emrin e drejtorit të përgjithshëm. Nëse duan Rama dhe Basha mund të gjejnë zgjidhje me emra nga bota e medias dhe shoqeria civile për një Keshill Drejtues apo Bord, quaje si të duash, që nuk duan tia dijnë për presionin e politikës , por shikojnë interesin e publikut.
 
Kështu siç e kanë sot është një keshill drejtues partiak, ndonëse janë edhe tre emra VIP. Pjesa tjetër lë shumë për të dëshiruar.

SHKARKO APP