Kush hyn dhe kush del nga lista e fituesve, dhe kandidatët që thyen herësin
Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë po shkon drejt fundit. Në të dy kampet në të 12 qarqet vetëm 3 janë emrat që kanë mundur të sigurojnë votat e nevojshme në bazë të formulës së re që parashikojnë Kodi Elektoral pas ndryshimeve që ju bën në bazë të marrëveshjes së 5 Qershorit.
Për socialistët ata janë Fatmir Xhafaj dhe Orlando Rakipi. Xhafaj i cili u rendit i 23 në listët e Qarkut të Tiranës ku kjo forcë arriti të mbajë 18 mandatet si në 2017, kur kanë mbetur edhe pas kuti për t’u numëruar ka arritur të marrë më shumë se 13 e 400 vota individuale. Një tjetër emër ndryshe nga Fatmir Xhafaj është krejtësisht i panjohur dhe për vetë socialistët që do të ulet në karriget e Parlamentit në anën e shumicës është Orlando Rakipi i renditur i 30, e që ka marrë rreth 12 mijë e 500 vota, pothuajse se njësoj me ministren aktuale të Infrastrukturës Belinda Balluku e cili gjithsesi e kishte të sigurtë vendin e saj të Kuvend pasi renditet e 10 në listën e Tiranës.
Ndërsa nga demokratët i vetmi që do të ulet në Parlament, duke thyer atë që njihet si herësi elektoral është Luçiano Boçi, kandidati i renditur i 7 në listën e Elbasanit, ku demokratët morën vetëm 6 mandate. Boçi ka arritur të mbledhë 10 mijë 900 vota.
Këta deputetë do të marrin mandatin e atyre kandidatëve që pavarësisht renditjes në listë kanë marrë më pak vota, përjashtuar kandidatet gra dhe vajza. Dhe në rastet aktuale, 2 deputetet e PS në Tiranë rrezikojnë të spostojnë nga lista e sigurtë emra si Fidel Ylli apo Ervin Bushati që duken më pak të votuarit nga socialistët. Ndërsa Boçi në Elbasan i djeg mundësinë për t’u ulur në Parlament Zheni Gjergjit.
Ndër më të preferuarit nga votuesit socialist është Taulant Balla me 21 e 600 vota, Blendi Klosi me 12 e 300 vota, Bledi Çuçi me afro 12 mijë vota. Ndërsa vetë kryesocialisti që kishte merak të shikonte se në kë nga qarqet e donin më shumë, tani e ka të qartë këtë pikëpytje pasi në Vlorë për emrin e tij kanë votuar 11 e 400 zgjedhës, ndërsa në Durrës vetëm 8650. Listën e demokratëve në të 12 qarqet e kryeson Lulzim Basha me afro 13 mijë vota si dhe Agron Shehaj me afro 10 mijë e 800 vota, të dy pjesë e listës së Tiranës.