Kush ‘i tradhëtoi’ grabitësit e Rinasit?
Më 9 Prill të vitit 2019, në brendësi të aeroportit të ‘Rinasit’ ndodhi një nga grabitjet më spektakolare të parave të disa bankave që do të transportoheshin me avion drejt Vienës.
Në grabitje mbeti i vrarë një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve kryesor, Admir Murataj, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë të tij arritën të largoheshin duke marrë me vete rreth 6.2 milionë Euro.
Por 11 muaj më vonë, e më konkretisht të enjten e kaluar më datën 19 Mars, dy nga të dyshuarit kryesorë si organizatorë dhe pjesëmarrës në grabitje u arrestuan në një apartament në bregdet në zonën e Qerretit.
Policia bëri me dije se vëllezërve Çala kishte arritur t’u sekuestronte armë, automjete dhe një sasi parash.
Në momentet e kapjes, autorëve iu sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 automjete tip Audi A4, A6 dhe A8, dy motorë BMW 1200 GS, një biçikletë, si dhe 133.960 Euro.
Emisioni ‘Uniko’ udhëtoi drejt fshatit bregdetar të Kavajës, për të kuptuar më shumë rreth operacionit ku u angazhuan rreth 300 forca policore pothuajse të të gjitha njësive të specializuara të uniformave blu, që nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Komisariat i Policisë Kavajë. /klanplus