Kush mund të zëvendësojë Sandër Lleshajn?
Deputetja e PS-së, Elona Gjebrea tha se protestat e ditëve të fundit, që nisën fillimisht si revoltë për vrasjen e Klodian Rashës janë nxitur nga opozita jashtëparlamentare. Ajo tha se vrasja e të riut Rasha është një ngjarje tragjike, ndërkohë shtoi se qeveria nuk është bërë në asnjë rast pengesë në zbardhjen e saj.
E pyetur për emrin e mundshëm, i cili mund të zëvendësojë Sandër Lleshajn në postin e e ministrit të Brendshëm, për këtë deputetja e PS-së shtoi se vendimi është ekskluzivitet i vetë kryeministrit Edi Rama.
“Kjo është një ekskluzivitet i kryeministrit. Nuk mund të them asgjë, dhe nuk kam informacion për këtë. Padyshim që edhe një grua në ministrinë e Brendshme do të ishte një arritje. Çfarëdo që të jetë, kryeministri do ta gjejë pozicionin dhe kandidaturën më të mirë për ministrin e Brendshëm”, shtoi ajo.
Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj përflitet si një kandidaturë. Vetë ajo thotë se ”Do të ishte mirë që zonjat t’i shikonim edhe në postin e ministres së Brendshme, por jo thjesht ideja për të parë një zonjë, por gjithmonë për të vijuar një kauzë që tani gratë edhe vajzat në Shqipëri e kanë marrë përsipër ta kryejnë. E tillë është ajo e promovimit në funksione të rëndësishme, në funksione që shihen si përkatësi vetëm e meshkujve. Por, kjo nuk mund të jetë një qëllim në vetvete i askujt, sepse çdo lloj detyre angazhon një përgjegjësi të caktuar dhe të dhënat e një individi duhen parë në raport me këtë përgjegjësi”. Kurse sot portali ”Syri.net”, përfoli si emër të mundshëm edhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.