Kush po e sulmon Sokol Sadushin dhe pse?

Sulmet ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nga ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe një mori taborësh politikë e mediatikë kanë një tjetër synim nga ai që pretendohet publikisht. Vendimi i KLGJ-së nr. 485 për votimin e gjyqtarëve në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë, i nënshkruar nga ish-kryetarja Llagami, ka përcaktuar qartë se komisioni i votimit përbëhet nga kancelarja, kryesekretarja dhe një sekretare, pa përfshirjen e gjyqtarëve.

I njëjti rregull është vendosur edhe në Rregulloren e Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, znj. Llagami sulmon Gjykatën e Lartë duke e akuzuar për shkelje të rregullit që vetë ka miratuar, ku komisioni përbëhet nga kancelarja, kryesekretarja dhe një sekretare gjyqësore. Nuk ka si të mos e mbajë mend këtë rregull ish-kryetarja e KLGJ-së, pasi ajo vazhdon të jetë gjyqtare me profil të njohur profesional. Por duket se disa e kanë shtyrë në një rrugë të gabuar, për interesa të tyre personale dhe jo për të sajat, me qëllim krijimin e zhurmës publike.

Atëherë lind pyetja: Pse sulmohet Sokol Sadushi?

Swiss Digital Desktop Reklama

Prej disa javësh, një valë e pazakontë sulmesh mediatike është drejtuar ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Emri i tij ka qenë në qendër të debateve, analizave dhe editorialeve që shpesh i kanë kaluar kufijtë e kritikës legjitime. Nga portale të lidhura me opozitën deri te media të afërta me mazhorancën, sulmet kanë qenë të njëanshme, të përsëritura dhe, në shumë raste, të sinkronizuara. Në këtë kor janë përfshirë edhe zëra të njohur, si ish-prokurorë apo funksionarë të larguar nga sistemi i drejtësisë përmes vettingut, që shfaqen si komentues për të delegjitimuar figurën e njërit prej hartuesve të Reformës në Drejtësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pse pikërisht tani?

Përgjigjja gjendet në fjalimin që Sokol Sadushi mbajti më 9 tetor, në Mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës. Në një moment delikat për sistemin e drejtësisë, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ai zgjodhi të flasë, jo të heshtë. Në një tekst të gjatë, të argumentuar dhe të përmbajtur, Sadushi përcolli tri mesazhe të qarta:

Autokritikë ndaj vetë sistemit gjyqësor për vonesat dhe zvarritjet procedurale;

Kritikë të hapur ndaj politikës për ndërhyrjet dhe fyerjet ndaj gjyqtarëve;

Denoncim të mediave joprofesioniste që kanë kthyer studiot televizive në “gjyqe publike” ndaj magjistratëve.

Fjalimi ishte i drejtë, por i pakëndshëm për shumëkënd: për politikën që nuk dëshiron të përballet me realitetin, për mediat që ushqehen me polemika, dhe për burokracinë që ndjehet e ekspozuar përballë thirrjes për përgjegjësi dhe veprim.

Sulmi mediatik nuk lidhet vetëm me tonin e fortë të fjalimit, por edhe me zhvillimet institucionale që pasuan, si zgjedhja e gjyqtarit Asim Vokshi në Gjykatën Kushtetuese dhe moszgjedhja e Naureda Llagamit. Procesi u zhvillua me transparencë, me votim të fshehtë dhe me miratim unanim të procesverbalit nga të gjithë gjyqtarët. Sot është publikuar edhe shkresa përkatëse me firmat e të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Por rezultati preku interesa konkrete: për herë të parë, një emër me profil profesional dhe pa lidhje politike fitoi përballë një figure të ekspozuar publikisht dhe të mbështetur nga struktura politike të dikurshme të reformës. Pikërisht këtu nisi dhe fushata e diskreditimit personal ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë, me synimin për të vënë në dyshim integritetin e procesit.

Po kush është Sokol Sadushi?

Sokol Sadushi është një nga juristët e brezit që hodhën themelet moderne të shtetit të së drejtës në Shqipëri: ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ish-drejtor i Shkollës së Magjistraturës, autor i teksteve akademike dhe monografive për gati katër dekada, pedagog i njohur i së drejtës dhe themelues i së drejtës administrative moderne shqiptare. Aktualisht, ai drejton Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë si një figurë e njohur për integritetin profesional dhe kontributin në hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi. Pikërisht kjo pavarësi mendimi, thellësi akademike dhe qëndrueshmëri institucionale e bëjnë Sadushin një figurë të vështirë për t’u rreshtuar politikisht dhe për pasojë, një shënjestër të përshtatshme për ata që kërkojnë ndikim mbi drejtësinë.

Sokol Sadushi nuk është kundër reformës, as kundër institucioneve. Përkundrazi, ai është një nga arkitektët e tyre. Por ai është kundër deformimit të reformës në një mjet presioni politik. Në çdo paraqitje publike, ai ka theksuar se drejtësia duhet të ketë dinjitet, standard dhe siguri jo të shërbejë si zgjatim i pushtetit apo si instrument hakmarrjeje politike. Në një vend ku shumëkush kërkon kontroll mbi sistemin, një kryetar gjykate që mbron rregullin mbi interesin personal bëhet automatikisht objektiv për t’u sulmuar.

Në këtë klimë, sulmet nuk janë rastësore. Ato synojnë të zbehin besimin publik tek institucioni më i lartë i drejtësisë, të dëmtojnë autoritetin moral të një figure që nuk pranon të heshtë dhe që e përdor fjalën si mjet argumentimi, jo si armë. Në thelb, jemi përballë një përplasjeje mes dy kulturave: kulturës së heshtjes dhe konformizmit që ruan ekuilibrat e rremë, dhe kulturës së përgjegjësisë që guxon të thotë të vërtetën.

Sulmi ndaj Sokol Sadushit është sulm ndaj një modeli gjyqtari që nuk ka frikë të flasë, që nuk i shërben askujt përveç ligjit. Kjo është arsyeja pse sulmet janë shtuar tani: sepse për herë të parë, një zë brenda sistemit të drejtësisë ka guxuar të flasë qartë për veten, për politikën, për median, për gjithë sistemin. Në një shoqëri që ende nuk ka mësuar të dëgjojë fjalën e pavarur, ky zë është më i rrezikshmi për ata që duan një drejtësi të heshtur. Pavarësia nuk është heshtje. Ajo është kurajo për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo nuk u pëlqen të gjithëve. Për këtë arsye, sot sulmohet Sokol Sadushi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?