Kush u rrah në Elbasan? Kushi: Mbështetësit e Bashës na provokuan

Ministrja e Arsimit Evis Kushi e ka cilësuar si organizim të opozitës përplasjen gjatë Ditës së Verës në Elbasan.

E ftuar në studion e ABC, me Juli Xhokaxhi, Kushi e cila gjithashtu kryeson listën e PS në Elbasan, në një moment i cilëson si qytetarë personat që u përplasën fizikisht.

Kushi thotë më tej, se ishin mbështetësit e Lulzim Bashës ata të cilët nisën fillimisht fyerjet drejtuar kryeministrit Edi Rama.

E pyetur nëse do të jetë Elbasani një fushë betejë për 25 prillin pas gjithë kësaj që ka ndodhur duke iu referuar edhe përplasjes së djeshme të kandidati demokrat Luçiano Boçi me biznesmenin Gjergj Luca, ministrja tha: “Ne jemi maksimalisht të angazhuar për të bërë një fushatë të qetë sepse ne duam që në 25 prill të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk duam konflikte sepse në sondazhe jemi në avantazh. Të shkojmë sa më qetë që qytetarët të zgjedhin pa u kërcënuar. Kem angazhimin maksimal, i porosisim strukturat që të mos bien pre e konflikteve”.

Pjesë nga biseda në studio: 

Evis Kushi: Ishte një ngjarje që Elbasani nuk e meritonte. Dita e Verës është simboli i qytetarërisë. Nuk ka ndodhur në asnjë kohë që dikush që vjen kushdo që vjen të mos mikpritet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne ishim pak në numër dhe për të respektuar protokollet.

Juli Xhokaxhi: Ju keni qenë edhe pa maskë…

Evis Kushi: Pa maskë kam qenë vetëm kur fola para gazetarëve. Mund ta shikoni se janë live të gjitha pamjet. Më vjen keq se dolën lajme për këtë. Ne u përpoqëm të respektojmë rregullat për të mos patur grumbullime. Kur vjen kryeministri ne dalim shumë, por atë ditë dolëm vetëm tre vetë.

Juli Xhokaxhi: Këta që po rrihen kush janë?

Evis Kushi: Janë qytetarë. Lulzim Basha erdhi me një kolonë të gjatë.

Juli Xhokaxhi: Po thoni që ky grupimi ishin qytetarë? Ishin mbështetësit tuaj se këta rrahën ata të Lulzim Bashës.

Evis Kushi:  Kam qenë prezente gjatë gjithë kohës. Ky është momenti në fund. S’mund të shkëpusni ngjarjen. Versioni është se në momentin kur zbret Rama, isha me kryebashkiakun dhe Taulant Ballën dhe aty kishte një grupim mbi 20-100 veta që sapo kishin pritur Bashën. Në momentin që Rama zbret ata bëjnë fyerje dhe sharje të ndryshme. Ne u munduam ta shmangim, ndërsa qyteti ishte plot me njerëz. Konflikti ndodhi  midis tyre, por nuk ka lidhje me ne. Ishte provokim i organizuar nga opozita. Ne në Elbasan nuk e kemi kurrë traditë.

Juli Xhokaxhi: Qytetarë janë?

Evis Kushi: Ishte një axhendë politike. Ne për ditë vere nuk organzojmë aktivitete të karakterit politik.

Juli Xhokaxhi: Pse vajtët në Elbasan në kushte pandemie, mund edhe të ishte shmangur?

Evis Kushi: Nuk bëmë grumbullim. Kryeministri erdhi vetëm ai dhe ne të tre. Dhe një vizitë në një familje. Nuk kemi organizuar asnjë lloj grumbullimi. Nuk na kishte shkuar në mendje s’mund të kishte konflikte.

Juli Xhokaxhi: Dje ka pasur sërish një konflikt në Elbasan. A do të jetë Elbasani një fushë beteje jo e lehtë për 25 prillin?

Evis Kushi: Për sa i takon ngjarjes që ka ndodhur dje nuk jam e qartë se të dyja palët pretendojnë se janë fyer. Ne jemi maksimalisht të angazhuar për të bërë një fushatë të qetë sepse ne duam që në 25 prill të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk duam konflikte sepse në sondazhe jemi në avantazh. Të shkojmë sa më qetë që qytetarët të zgjedhin pa u kërcënuar. Kem angazhimin maksimal, i porosisim strukturat që të mos bien pre e konflikteve.

SHKARKO APP