Kush vjen nga Maqedonia dy javë karantinë/ Deputeti i AMIE: Vendim i shpejtuar dhe i gabuar
Deputeti i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europiane (AMIE) Vasil Sterjovski, ka reaguar në lidhje me vendimin e Komitetit të Ekpertëve që personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, do të qëndrojnë në karantinë për dy javë.
Në një njoftim për mediat ai ka thënë se është një vendim i shpejtuar dhe i gabuar nga Komitetit, pasi numrat e të infektuarve në rajon kanë rënë ndjeshëm.
Ky vendim sipas tij penalizon banorët të cilat jetojnë në kufirin shqiptaro-maqedonas nga Prespa deri në Gollobordë të Dibrës.
Deklarata e plotë:
Vendimi i Komitetit Teknik i Ekspertëve për të karantinuar për një periudhë dy javore çdo person që hynë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga Maqedonia është një vendim i shpejtuar dhe i gabuar, pasi këto ditë shifrat e infektuarve në Maqedoni janë në ulje. Dje kur u mor ky vendim në Maqedoni kishte 135 të infektuar me Covid-19.
Ky vendim ekonomikisht penalizon banorët të cilat jetojnë në kufirin shqiptaro-maqedonas nga Prespa deri në Gollobërdë të Dibrës, të cilat duke përfituar nga afërsia e kufirit me Maqedoninë e kanë lidhur jetën e tyre me punë sezonale dhe aktivitete të tjera në rajonet kufitare të Maqedonisë.
Nga zona e Prespës, Bashkia Pustec çdo ditë në Maqedoni, hyjnë dhe dalin mbi 300 banor të cilat punojnë punë sezonale në fshatrat e Prespës në Maqedoni. Për këta banor të ardhurat e siguruara nga puna sezonale në Maqedoni në disa muaj, janë të vetmet të ardhura për familjet e tyre.
Komitetit Teknik i Ekspertëve duhet sa më shpejtë brenda javës ta rivlerësojë këtë vendim, pasi numri i të infektuarve në Maqedoni është në ulje dhe nuk e justifikon marrjen e këtij vendimi.