Kushi: Nxënësit e arsimit parauniversitar testim jo veç me alternativa

Nxënësit e klasave të 5-ta dhe të 9-ta, në arsimin 9-vjeçar, do t’i nënshtrohen procesit të provimeve këtë vit, ndryshe nga sa ndodhi vitin e shkuar akademik për shkak të pandemisë së Covid-19. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se po ashtu edhe gjimnazistët, në provimet e maturës këtë vit nuk do të kenë vetëm pyetje me alternativa, si një vit më parë, por edhe me zhvillim, duke u rikthyer në këtë mënyrë në modelin e mëparshëm sa i përket provimeve.

“Ne u detyruam që provimet për klasën e 5 dhe të 9 t’i anulojmë vitin e kaluar, ndërsa për maturantët u bënë, por psh kishte provim vetëm me alternativa. Kemi dalë në konkluzionin që këtë vit do zhvillohet këto provime dhe për maturën do ketë edhe pyetje me zhvillim. Po i rikthehemi metodës së mëparshme. Vlerësimi do bëhet edhe me skanim elektronikisht. Kemi bërë ndryshime për nivelet e vështirësitë, 40% niveli i parë, 40% i dyti dhe vetëm 20% do të jetë niveli më i lartë i vështirësisë. Unë uroj shumë që të kthehemi vitin tjetër në mësimin ën banka, por duhet të jemi të përgatitur. Unë uroj që të mos i kthehemi mësimit online vitin që vjen”, tha Kushi.

Duke pranuar se mësimi online nuk është 100% efikas, sikurse mësimi në klasa, Kushi tha se po vlerësohen mangësit apo boshllëqet që mund të kenë nxënësit, për të hartuar më pas një plan vitin që vjen, për plotësimin e tyre. Kurse për vendimin për për kthimin e studentëve në klasa për konsultime dhe provime, Kushi tha se kjo erdhi për shkak të uljes së numrit të mësuesve të infektuar dhe vaksinimit me ritme të shpejta në radhët e arsimtarëve.

SHKARKO APP