Kushi takon sportistët e rinj: Mbështetja e pasqyruar edhe në ndryshimet ligjore

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi është takuar me një pjesë të sportistëve të rinj medalistë, në ambientet e Qendrës së re Olimpike “Tirana Olympic Park”. Në bashkëbisedim me sportistët, Kushi foli mbi çështje me interes për zhvillimin e sportit dhe kushteve të sportistëve, për të parë më nga afër hapësirat ku nevojitet përmirësim, për t’u garantuar të gjithë sportistëve një të ardhme të mirë këtu në vendin tonë.

“Sportistët janë ambasadorët tanë më të mirë në përfaqësimin e Shqipërisë në kudo në botë. Ndaj në takimin me disa prej sportistëve të rinj shpreha mbështetjen time personale dhe institucionale për sportin në përgjithësi dhe për të rinjtë si ta në veçanti, pasi ata janë e ardhmja e sportit elitar shqiptar”.

Po ashtu ajo theksoi se është shumë e rëndësishme të dëgjohen jo vetëm sukseset e tyre, por edhe vështirësitë dhe sfidat e përditshme, në mënyrë që të përmirësohet puna e përbashkët për zhvillimin e sportit në vendin tonë.

”Zgjodhëm jo rastësisht Qendrën Olimpike “Tirana Olympic Park” si një investim shumë i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare, me standardet më të mira, në shërbim të plotë të talenteve të rinj”.

SHKARKO APP