Kushi: Teksti i abetares do të jetë i njëjti në të gjithë Shqipërinë, hiqet zgjedhja alternative për këto tekste

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka thënë pas mbledhjes së përjavshme të qeverisë se është vendosur që libri i abetares të jetë i pandryshueshëm për të gjitha shkollat e vendit. Ajo tha se janë konsultuar me ekspertë dhe mësues, e pritet që të punohet mbi këtë projekt, pasi në interesin e qeverisë sipas saj është që nxënësit të njihen mirë me gjuhën amtare.

Kemi vendosur që në arsimin paraunviersitear për çdo lëndë kemi tekste alternative dhe më pas zgjidhen nga mësuesit. Ne sot kemi vendosur që nga kjo procedurë të përjashtohet teksti i abetares. Të gjithë nxënësit e klasës së parë të kenë një tekst të unifikuar. Mësimi i gjuhës amtare është shumë i rëndësishëm dhe abetarja është libri i parë që përballet nxënësi.

Nga takimet që kemi zhvilluar me ekspertë kemi dakordësuar që për abetaren të kemi një tekst të unifikuar, sepse kjo ndihmon të kemi një metodologji të njëjtë kudo. Ne do të punojmë mbi këtë projekt, në mënyrë që të vijojnë procedurat për një konkurrim të hapur transparent, në mënyrë që të gjithë vogëlushët të kenë të njëjtën abetare”, tha ministrja Kushi.

SHKARKO APP