Kushtetuesja cakton datën për masën e sigurisë për Sali Berishën
Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 19 nëntor për të shqyrtuar ankimin e Berishës kundër masave të para të sigurisë. Kushtetuesja vendosi të kalojë për shqyrtim në seancën plenare ankimin e bërë nga ish-kryeministri, Sali Berisha, kundër masës së parë të sigurisë të caktuar ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Në ankimin e drejtuar Kushtetueses ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, por edhe ata të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e lanë në fuqi masën.
Në thelbin e kërkesës së ish-kryeministrit është fakti se gjykatat kanë shkelur Kushtetutën duke caktuar një masë sigurie shtrënguese ndaj tij, pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të statusit të tij të deputetit.
Në Kushtetuese ankimi i Berishës do të shqyrtohet pa praninë e palëve, por vetëm mbi bazë dokumentesh. Në të njëjtën ditë, Kushtetuesja vendosi të kalojë në seancë plenare edhe ankimin e bërë nga dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon shfuqizimin e masave të sigurisë të dhëna ndaj tij. Ish-kryeministri Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.