Kushtetuesja i jep të drejtë transferimit të pronës te Bashkia, por binte ndesh me objektin e ligjit për Teatrin

Gjykata Kushtetuese zbardhi sot të plotë vendimin për Teatrin Kombëtar, ku mes të tjerash sqaron se transferimi I pronës së Teatrit Kombëtar nga qeveria tek Bashkia është i drejtë, me kushtin që baza ligjore të mbështetej në ligjin në fuqi Nr 37 për Teatrin dhe jo të nxirrej një VKM e re. Në argumentet e saj, trupa gjykuese vlerëson se përderisa ka qenë në fuqi ligji Nr 37 për Teatrin, nuk duhet të dilte VKM e re po për të njëjtën gjë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, e rrjedhimisht dhe baza ligjore duhet të ndryshojë.

“Duke iu rikthyer çështjes konkrete në shqyrtim, Gjykata vëren se VKM-ja nr. 377/2020 ka si bazë ligjore për miratimin e saj ligjet nr. 8743/2001 dhe nr. 8744/2001, ndërsa për objekt, përveç kalimit të pronësisë Bashkisë së Tiranës të pasurisë nr. 1/241 me emërtimin “Teatri Kombëtar”, për sipërfaqen prej 5.522,7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m², ka edhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar si një godine me standarde bashkëkohore, në konsultim me të gjitha grupet e interesit (neni 1 i VKM-së nr. 377/2020). Gjithashtu, edhe ligji nr. 37/2018 ka të njëjtin objekt me atë të VKM-së nr. 377/2000, që është ndërtimi dhe dorëzimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar (neni 1 dhe neni 2 i ligjit). Në këtë kuptim, edhe pse ligjvënësi ka shprehur vullnetin e tij përmes miratimit të një ligji të posaçëm, që ka pasur për qëllim zhvillimin e zonës në të cilën gjendeshin edhe godinat e Teatrit Kombëtar, Këshilli i Ministrave, pavarësisht këtij fakti, ka miratuar një akt nënligjor me të njëjtin objekt dhe qëllim, duke anashkaluar dhe duke mos u bazuar në këtë ligj. Në këtë pikëpamje janë të paqarta arsyet e mungesës së nismës për rishikimin e ligjit nr. 37/2018 dhe të vijimit të procedurave në mënyrë koherente. Është e vërtetë se organet kushtetuese, me kompetenca në nxjerrjen e akteve normative ose individuale, kanë hapësirën e tyre të vlerësimit për rregullimin e çështjeve në kompetencë të tyre, por në zgjedhjen e instrumentit ligjor ato duhet të respektojnë shtetin e së drejtës, të garantojnë koherencën e rendit juridik dhe hierarkinë e normave të tij”, thuhet në vendimin e zbardhur të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese nënvizon se miratimi i të njëjtave rregullimeve me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore, pa asnjë referencë te njëri-tjetri, jo në kuptimin formal, por në substancë, nga dy organe të ndryshme, cenon parimin e hierarkisë së akteve ligjore.

“Në kushtet kur ligji nr. 37/2018 në nenin 4 të tij ka përcaktuar se në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të tij, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme, edhe pse ai nuk përmban ndonjë delegim të shprehur për ekzekutivin në këtë drejtim, Gjykata vlerëson se miratimi i të njëjtave rregullimeve me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore, pa asnjë referencë te njëri – tjetri, jo në kuptimin formal, por në substancë, nga dy organe të ndryshme, cenon parimin e hierarkisë së akteve ligjore dhe krijon, gjithashtu, pasiguri dhe paqartësi në zbatimin e këtyre normave juridike”, thuhet në vendim.

Pavarësisht se e morën në shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk bëri asnjë koment në lidhje me pretendimin e Presidentit Ilir Meta lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës së vjetër, duke e lënë në fuqi. Sipas akt-ekspertimit të bërë nga Instituti i Ndërtimit, godina e Teatrit Kombëtar, e ndërtuar që në vitin 1938, ka dëmtime dhe përkulje në disa zona të soletës, degradim të sipërfaqes dhe materialeve për shkak të cilësisë dhe vjetërsisë, cedime të dherave në pjesën e skenës rrotulluese dhe degradim të bazamentit mbajtës, ç’ka rrezikon aftësinë mbajtëse të tyre. Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerësonte se kushtet e godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk ishin të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se ishin jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.

SHKARKO APP