Kushtetuesja pezullon gjykimin dhe çon në Venecia votimet e 30 qershorit 2019
Gjykata Kushtetuese pezullon gjykimin dhe vendos t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershori në 2019.
Trupa gjykuese u ka kërkuar palëve në gjyq të dërgojnë nga një pyetje që ti adresohet Komisionit të Venecias deri në 25 qershor.
Seanca e sotme maratonë
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim këtë të mërkurë kërkesën e shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.
Në nisje të seancës, Këshilli i Ministrave kërkoi pezullimin e procesit, derisa në Gjykatën e Tiranës të zgjidhej konflikti i lindur mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut, për kryesimin e shoqatës, si dhe njëherazi që pjesë e procesit të ishte edhe Shoqata për Autonomi vendore. Të dyja kërkesat u rrëzuan nga shtatë gjyqtarët kushtetues.
Në vijim, seanca plenare u ndërpre për një orë, duke iu dhënë mundësinë palëve për të njohur me dokumentet.
Më pas përgjatë të paktën shtatë orëve, trupa e gjyqtarëve kushtetuese dëgjoi argumentet pro dhe kundër të palëve. Relatore e çështjes është gjyqtarja Fiona Papajorgji, e cila ka bërë dhe prezantimin e saj.
Avokati Jordan Daci që përfaqëson Voltana Ademin tha se kërkesa e Shoqatës së Bashkive duhet pranuar, pasi zgjedhjet vendore të 30 qershorit u zhvilluan pa një dekret të presidentit.
Ai sqaroi se asnjë akt tjetër nuk mund të zëvendësonte dekretin, por pavarësisht se kreu i shtetit firmosi për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, institucionet e injoruan atë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi me organizimin e procesit.
Ai theksoi më tej se qytetarëve iu mohua e drejta për të zgjedhur, pasi në shumicën dërrmuese të bashkive kishte vetëm një kandidat si dhe u shklel e drejta për fshehtësi të votës. Lidhur me pjesën e dytë të kërkesës që lidhet me kushtetutshmërinë e partisë Bindja Demokratike që doli me kandidat për disa nga Bashkitë, avokati Daci tha se partia në fjalë nuk ekzistonte juridikisht në momentin kur u regjistrua për të marrë pjesë në zgjedhje.
Pretendimet e Shoqatës së Bashkive u mbështetën edhe nga Bledar Dervishi, përfaqësuesi ligjor i Presidentit. Ai tha se kreu i Shtetit i anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, për të qetësuar situatën politike, pasi kishte marrë informacion se më 8 qershor 2019, po përgatiteshin skenarë për të destabilizuar vendin dhe djegur institucionin e Parlamentit.
Mimoza Arbri përfaqësuese e Kuvendit tha se presidenti ka detyrë vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo ta anulojë atë.
Sipas Arbrit, institucioni i vetëm që mund të shtyjë apo anuloje zgjedhjet, kur vendi mund të ndodhet në situatë të jashtëzakonshme, apo raste të fatkeqësisë natyrore, është Kuvendi dhe jo Presidenti.
Ajo tha se 55 deputetë të Kuvendit, miratuan një rezolutë ku ndër të tjera u shprehën se Ilir Meta kishte shkelur Kushtetutën duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Por gjetjet e Komisionit hetimor Manja, nuk u konsideruan nga Komisioni i Venecias, si shkelje aq të rënda sa mund të bënin shkak për shkarkimin e presidentit.
Diskutimet në Kushtetuese
Jordan Daci: Voltana Ademi legjitimohet plotësisht. Në lidhje me thelbin e çështjes, së pari ne pretendojmë se zgjedhjet s’mund të zhvillohen pa dekret presidenti. Bindja Demokratike nuk ekzistonte juridikisht kur u regjistrua si pjesëmarrëse në zgjedhje.
Jordan Daci: S’ka pasur fshehtësi votimi për shkak se ka pasur vetëm një kandidat dhe nuk ka pasur opsion për të votuar kundra. Qytetarëve iu mohua shprehja e vullnetit. Nuk kishte mundësi zgjedhjeje. Në rastin konkret u kufizua mundësia për të ushtruar te drejtat
Fiona Papajorgji: Mund të përcaktoni juridiksionine Gjykatës vetëm lidhur me kërkesën e parë?
Jordan Daci: Nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës. (e- çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre)
Fiona Papajorgji: Në bazë të nenit 8 të shoqatës, anëtarë të saj mund të jenë të gjithë drejtuesit e bashkisë që mund të jenë. Sa anëtarë janë?
Jordan Daci: Nuk jam në gjendje ta them këtë?
Marsida Xhaferrllari: Përmes kësaj kërkese ju deligjitimoni pjesëmarrjen e bashkive të tjera përmes kësaj kërkese?
Jordan Daci: S’ka lidhje, nëse një anëtar që zgjedh të mos jetë pjesë është e drejta e tij.
Marsida Xhaferrllari: Kërkimi i kushtetueshmërisë është autonom i juaji si palë ankuese? Cili është opinion juaj për efektet që ka shkaktuar dekreti i Presidentit, është më efekt të përgjithshëm apo individual?
Jordan Daci: Është me efekt të përgjithshëm dhe akti individual administrativ lind pas ngjarjes dhe në këtë rast, akti prodhon ngjarje dhe jo ngjarja të prodhojë akt.
Altin Binaj: Ju thatë që mandati në krye të shoqatës është pa afat…?
Jordan Daci: Statuti dhe ndryshimet që iu bënë shoqatës në vitin 2016 përcaktojnë mandatin e kryetares dhe anëtarëve. Organet e shoqatës janë funksionale dhe paguhen. Nuk kemi asnjë kërkesë që kemi refuzuar. Do t’i nënshtrohet vlerësimit, pasi vetë logjika e shoqatës nuk është e karakterit diskriminues.
Bledar Dervishi: Presidenti kishte informacion se me 8 qershor mund tw provokohej një skenar për destabilizimin e vendit dhe mund të shkohej deri në djegien e parlamentit. Situata mund të përkeqësohej me afrimin e datës së zgjedhjeve. Pasi e vlerësoi situatën nxori dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas kësaj situata në vend u qetësua.