Kuvajti rindërton objektet e kultit në Shqipëri

 

Kuvajti investon për rindërtimin e objekteve të kultit në Shqipëri

 

Dhjetëra objekte kulti janë finalizuar ose janë në proces restaurimi a ndërtimi nga donatorët kuvajtianë, duke shtuar dita-ditës vatrat e besimit  dhe të edukimit në vendin tonë.

Rreth 1600 objekte të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve u shkatërruan gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ajo që u zhbë brenda një viti (vitit të tmerrshëm 1967), kërkon dekada për t’u ripërtërirë, edhe pse në këtë aspekt përpjekjet nuk kanë reshtur. Një prej kontribuuesve më të rëndësishëm për rindërtimin e objekteve të kultit në Shqipëri është Kuvajti, ku së fundmi është mundësuar edhe ndërtimi i kompleksit social-kulturor “Sara dhe Shehd”, ngritur mbi vakëfin e klerikut Shaban Efendia në lagjen “Shabanej” të qytetit të Shkodrës. Ky kompleks i përuruar pak ditë më parë, me praninë e personaliteteve të ndryshme shtetërore e fetare, përbëhet nga "Xhamia e Dy Vajzave: Sara dhe Shehd", Qendra Kulturore me klasa mësimi dhe Kompleksi i dyqaneve vakëf.Ky është një investim nga donatorë kuvajtianë, i ideuar dhe i projektuar nga Departamenti i Monumenteve të Kulturës Islame pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC).

Gjithashtu, të tjera projekte të rëndësishme presin të finalizohen si fryt i bashkëpunimit me shtetin dhe qytetarë të ndryshëm të Kuvajtit. Vlen të theksojmë në këtë kuadër se projekti i ndërtimit të Namazgjasë në Tiranë që kushton në tërësi 10 milionë euro, do të ketë një pjesë të madhe të financimit nga qeveria e Kuvajtit. Po kështu, në Qatrom të Korçës është inauguruar para disa muajsh xhamia së bashku me qendrën e re shëndetësore të fshatit, investim i një grupi donatorësh nga Kuvajti. Ndërsa, vetë qeveria e Kuvajtit ka premtuar rreth 200 mijë euro për rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, e cila është shkatërruar nga përmbytjet e vazhdueshme.

Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Kuvajt janë intensifikuar qysh nga fillimi i viteve '90 kur Shqipëria mbështeti ndërhyrjen ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga SHBA për çlirimin e Kuvajtit, gjë e cila është vlerësuar vazhdimisht me mirënjohje nga autoritetet kuvajtiane. Marrëdhënia dypalëshe kulmohet në shtator të vitit 2011 kur në Tiranë hapet edhe Ambasada e Kuvajtit. Që prej këtij viti bashkëpunimet në të gjitha fushat kanë qenë të shumta, veçanërisht në sferën ekonomike, ku ky shtet ka investuar për projekte të rëndësishme infrastrukturore, si për shembull, rregullimin e bulevardit të ri të kryeqytetit dhe sheshin “Skënderbe”, si dhe mbështetja për hapjen e Qendrës Rajonale për Autizmin në Shqipëri, ngritur në Farkë nga Fondacioni “Fëmijët shqiptarë”.

Përveç kontributit të qeverisë së Kuvajtit apo donatorëve në sferën ekonomike për ndërtimin ose restaurimin e xhamive, shkollave apo në ndihmë të jetimëve, të shumta kanë qenë rastet e donacioneve për botime librash edukativë dhe aktivitetesh të ndryshme me karakter social. Kjo mbështetje financiare rezonon vlera të fuqishme për shoqërinë shqiptare, pasi kontribuohet më tej për përhapjen e dijes, edukimit, besimit dhe paqes.

 

SHKARKO APP