Kuvendi dëgjon 20 kandidatët për Avokat të Popullit. Karrigia i lihet në ”dorë” Alibeajt
Kuvendi nisi procedurën për zgjedhjen e avokatit të popullit duke dëgjuar 20 kandidatët që aplikuan për këtë post. Drejtimi i këtij institucioni I është lënë ekskluzivisht opozitës si një marrëveshje e pa shkruar politike.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit do të jetë beteja e fundit politike në sallën e Kuvendit përpara sesa deputetët të shkojnë me pushime. Mazhoranca ka pranuar publikisht se zgjedhja do t’i lihet në dorë opozitës, por varet cilin nga grupimet brenda të djathtëve do të njohin socialistët si të tillë.
Sot përpara deputetëve të Komisionit të Ligjeve dolën një nga një 20 kandidatët të cilët kishin shprehur ambicien për të drejtuar këtë institucion. Emra si Besim Ndregjoni, Dorian Gjomarkaj, Erinda Ballanca, Ilirjan Rusmali e Ledio Braho ishin ata që morën më shumë vlerësime publike nga ana e deputetëve të të dyja krahëve.
“Është një nga juristët më të mirë. Meriton edhe më shumë se kaq”, tha Majko. Fjalët e Pandeli Majkos ishin për Ilirjan Rusmalin, kandidat të cilit i thurën më shumë elozhe deputetët e Komisionit të Ligjeve duke e vendosur, të paktën publikisht, në pole position për të fituar garën. Lavdet nuk ishin të pakta as për Avokaten e Popullit në Detyrë, Erinda Ballanca e cila u paraqit virtualisht për shkak të infektimit nga Covid-19. “Jeni treguar që i keni dhënë atij institucioni integritetin e duhur” tha Çupi.
Opozita do të jetë ajo që do t’i propozojë shumicës kandidaturën për ta votuar. Por cila opozitë? Socialistët prej kohësh kanë vendosur si kusht se nuk mbështesin asnjë kandidaturë që merr firmën mbështetëse të Sali Berishës. Në këtë rast do të vijonte taktika e marrjes së propozimit nga Enkelejd Alibeaj, të cilin PS e njeh si përfaqësues të deputetëve demokratë në Kuvend. Zgjedhja e Avokatit të Popullit kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.