Kuvendi miraton aktin normativ, i çelet rruga negociatave me prodhues të vaksinave në të gjithë botën

Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur rrugën aktit normativ të qeverisë ”Rama 2”, për të negociuar edhe me kompani të tjera prodhimi të vaksinave të koronavirusit krahas Pfizer dhe AstraZeneca. Në fjalën e saj në seancën plenare, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përmendi disa shtete evropiane që po përdorin vaksinat ruse dhe kineze.

”Numri i shteteve të BE që tashmë nuk përjashtojnë asnjë vaksinë si Gjermania apo Italia, janë shprehur se do të hedhin shikimin nga vaksina ruse Sputnik V, për shkak të ngërçit në furnizime”,-tha Manastirliu.

Me 10 mijë vaksinat “Sputnik V” të mbërritura tani në Shqipëri, do të vaksinohen të moshuarit mbi 80 vjeç, ndërsa objektivi i qeverisë është që të kryhen 10-12 mijë vaksinime në ditë.

Po ashtu ka nisur vaksinimi i pedagogëve edhe në Tiranë e Elbasan krahas Vlorës e Gjirokastrës. Mbi 12 mijë arsimtarë, ose 30% e mësuesve kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca ndërsa në total janë kryer deri tani mbi 48 mijë vaksinime.

Shqipëria ka siguruar në total deri tani 90 mijë doza, ndërkohë që në ditët e para të Prillit pritet të vijnë sasi të tjera vaksinash nga Pfizer ndërsa nga Covax priten 60-80 mijë doza të AstraZenecës.

SHKARKO APP