Kuvendi “rrëzoi” Metën, Kikia: Shqipëria ka zero shanse për hapjen zyrtare të negociatave në dhjetor

Kuvendi i Shqipërisë votoi me 97 vota pro rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit, i cili ktheu për rishqyrtim ndryshimet kushtetuese mbi Kodin e ri Zgjedhor. Analisti dhe gazetari Mentor Kikia ky votim ka vënë në pikëpyetje çeljen zyrtare të negociatave.

“Tani thjesht pritet zbatimi i Kodit Zgjedhor në prill. Unë nuk besoj se kryeministri nuk është koshient në veprimet që bën. Ajo që tashmë duhet që në qeveri të kenë shumë të qartë, është fakti se shanset për një hapje zyrtare të negociatave në dhjetor janë pothuajse zero. Edhe nëse do të ishte miratuar kodi me konsensus, ka një sërë çështjesh të tjera, të cilat nuk janë realizuar”, u shpreh Kikia në Euro News Albania.

I pyetur për krijimin lëvizjes politike të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe për risitë që ajo mund të sjellë në mjedisin politik shqiptar, për këtë gazetari Kikia dha këtë opinion: “Zonja Topalli tha se jam këtu për të përmbysur kastën politike. Kush është kasta? Kasta është znj. Topalli. Shqiptarët kanë parasysh edhe zonjën Topalli. Të gjithë partizat e reja nuk sjellin asgjë të re, por janë fraksione inatçore të njërës apo tjetrës palë.Vendi ka nevojë për një aktor të ri, që të shërbejë si një alternativë mes dy polesh. Shoqëria prodhon parti të tilla dhe nuk investohet në produkte politike të vërteta, që do mund të ofrojnë zhvillim”, theksoi ai.

SHKARKO APP