La Shqipërinë, mjeku: Specialistë nga diaspora që të formojmë brezin e ri

Dr. Kristo Papa, doktor shkencash në Londër, ka rrëfyer arsyet që e çuan drejt largimit nga Shqipëria, ku thotë se këtu nuk të jepet mundësia që të gjesh një vend specializimi. I larguar që në moshën 6-vjeçare nga Shqipëria drejt Greqisë, ai kreu studimet në Itali ku dhe është specializuar në fushën e kardiokirurgjisë. Ai tregon se nuk ishte e lehtë të pranohej si një mjek i huaj në Angli.

“Kishte rezistencë nga ana e pacientëve sepse më quanin si një mjek me cilësi të dobët, ashtu edhe nga ana e kolegëve që nuk ishin dakord që të specializonin dikë të cilin ata që në fillim nuk donin ta pranonin”tha në “Euronews albania”.

Papa tha se i mban lidhjet me kolegët e tij nga Shqipëria, të cilët për fat të keq kërkojnë vazhdimisht një farë ndërmjetësimi për të gjetur punë në spitalet e huaja. Nga ana tjetër, ai foli edhe për Samitin e Diasporës, për të cilin nuk pati mundësi të ishte i pranishëm por tha se do të kishte propozuar që “specialistë nga diaspora, bashkë me profesionistë të huaj të vijnë të japin ekspertizën e tyre, të formojmë brezin e ri edhe kjo do jetë një mundësi për të ndaluar këtë hemorragji në një far mënyre kaq të madhe”.

Sipas tij, janë rreth 800 mijë deri në 900 mijë mjekë që janë larguar nga Shqipëria. Ai pohoi se ka menduar dhe kthimin në Shqipëri por se për këtë “duhet të krijohen kushte” duke përmendur kushtet higjienike dhe teknologjitë e duhura për ta kryer sa më mirë profesionin e tij.

SHKARKO APP