Laboratori i drogës, dëshmia e punëtorëve: Po bënim pulari
”Po ndërtonim një pulari, jo laborator droge”,-janë fjalët e të afërmve dhe punëtorëve të cilët thuajse kishin përfunduar së ndërtuari një laborator brenda magazinës në pronësi të 50-vjeçarit Vladimir Çilotaj, në lagjen Mbrostar të qytetit të Fierit.
Laboratori ishte ndërtuar në tokën e shtetasit Vladimir Çilotaj, 50-vjeç, i cili rezultoi se ishte emër i njohur për drejtësinë. Ai ishte arrestuar më parë për vjedhje dhe rrëmbim të një vajze. Ndërkohë, laboratori me sipërfaqe 300 metra katror përmbante brenda bazë ushqimore për bagëtinë, por në brendësi hetuesit gjetën pajisje të montuara, që dyshohet se do të përdoreshin për kultivimin dhe përpunimin e hashashit.
Hetimet kanë zbuluar se në magazinën 480 metra katrorë ku Vladimir Çilotaj kishte vendosur bazën ushqimore për bagëtinë që mbarështonte, mund të ishte duke u ndërtuar një laborator për kultivimin e lëndëve narkotike dhe përpunimit të tyre. Kjo, pasi pas gjetjes së gomones ditën e hënë në bregdetin e Semanit nga policia kufitare, është konkluduar paraprakisht se pronari i saj mund të kishte lidhje me 50-vjeçarin nga qyteti i Patosit, Vladimir Çilotajn.
Ditën e djeshme, policia e Fierit njoftoi se në afërsi të fshatit Seman ishte sekuestruar edhe një mjet lundrues me gjatësi rreth 12 metra, i dyshuar për transport lëndësh narkotike.
Çilotaj ka qenë një emër i njohur për policinë e Fierit, pasi në janar të vitit 2011, ai u arrestua së bashku me ish-shefin e Komisariatit të Policisë në Patos të Fierit, Gerjan Kondi pasi u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të vazhdueshme realizonin vjedhje të karburanteve të llojit naftë bruto.
KOHA JONË SONDAZH

