Lajmet e rreme për arsimin, ministrja Shahini: Mos bini pre

Siç raportuam edhe më herët për foto të publikuara në rrjete sociale që flisnin për anulimit të Vitit Akademik 2020-2021, erdhi edhe reagimi nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini. ”Ju lutem, mos bini pre e tyre. Mënyra më e mirë dhe më e thjeshtë për të verifikuar nëse një lajm i dalë nga MASR apo nga faqet e mia është zyrtar apo është i rremë, është duke klikuar si në faqen e MASR, ashtu edhe në faqen time në facebook, instagram dhe twitter. Në të tri platformat, unë postoj të njëjtat informacione, të njëjtat lajme, dhe aty janë lajmet e vërteta”.

Gjithashtu, ajo u dha përgjigje edhe disa pyetjeve të ngritura gjatë dy ditëve të fundit. Një prej çështjeve lidhet me transmetimet e leksioneve mësimore, nëse do të arrihet të xhirohet mjaftueshëm leksione edhe në lëndët e tjera që nuk janë matematika, shkenca dhe gjuhë-letërsia.

“Përgjigjja është: Po! Në javën e katërt të mësimit nga shtëpia, ne do të kemi edhe leksione të historisë, gjeografisë, gjuhës angleze, si dhe teknologjisë së informacionit që do të transmetohen në RTSH, në kanalin youtube të MASR dhe tek platforma mësimore Akademi.al”.

Një pyetje tjetër e ardhur lidhet me vlerësimin e nxënësve që nuk kanë qasje në internet apo nuk kanë një telefon smart. Për këtë Ministrja Shahini thekson se mësuesit janë udhëzuar se si të veprojnë në të tilla raste ”Natyrisht, puna vështirësohet në këto raste, por mësuesit kanë qasje tek nxënësit e tyre përmes telefonave që nuk janë smart. Vlerësimi do të jetë kryesisht ”vlerësim me gojë” përmes një telefonate të shkurtër. Mësuesit janë udhëzuar se si mund të bëhet kjo dhe unë besoj që do të fillojnë ta praktikojnë së shpejti”.

SHKARKO APP