Paralizimi i drejtësisë nga COVID, pasoja në të ardhmen. Rrezikohen afatet e paraburgimit
Teksa vendi ynë po përballet me një situatë të vështirë për shkak të koronavirusit, ku qytetarët po qëndrojnë në karantinë në kuadër të masave të qeverisë, gazetarja Klodiana Lala ka ndarë me të gjithë një eksperiencë personale.
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lala tha se i është dashur që të qëndrojë në karantinë për 14 ditë, pasi kishte udhëtuar jashtë vendit, ndërkohë që u sugjeroi të gjithëve të ndjekin këtë rregull. Teksa moderatorja Ola Bruko i drejtoi një pyetje të një qytetarit, për faktin se ku duhej të drejtohej ai nëse merrte gjobë kur shkelte karantinën, gazetarja Lala tha se kryesisht me këto çështje merret Gjykata Administrative.
“I sugjeroj njerëzve që të qëndrojnë në karantinë. Rasti im ishte i njëjtë. Isha jashtë dhe kam njoftuar autoritetet, pasi kam menduar për të gjithë, për familjen dhe kolegët. Kjo është luftë e të gjithëve ne. Duhet të kemi ndërgjegje. Zotëria ka të drejtë të ankohet, tek gjykata Administrative. Këtë dua ta shoh. Por problemi është i tillë; A ka skepticizëm tek qytetarët? Po patjetër. Kostoja do të jetë e rëndë të nesërmen, por asgjë tjetër nuk ka vlerë para shëndetit. Qytetaret duhet të zbatojnë masat për distancimin dhe duhet t’i respektojnë me rigorozitet masat. COVID-19 një lufte e te gjithëve, jo e qeverise”, tha Lala.
Duke u ndalur tek çështja që ajo mbulon, prokuroria e gjykatat, gazetarja Klodiana Lala tha se tashmë situata me COVID-19 ka pezulluar edhe drejtësinë.
“Në fokus tashmë është shëndeti. Siç dihet janë pezulluar të gjitha proceset gjyqësore. Pandemia ka paralizuar punën e gjykatave. Tashmë zhvillohen vetëm seancat që rrezikojnë afatet. Për këto seanca janë marrë masat. Po ashtu po mendohet për zhvillimin e seancave në distancë, po deri tani s’ka patur. Në këtë periudhë rrezikohen afatet e paraburgimit. Nëse afatet tejkalohen, duhet të ndryshojnë masat. Zhvillohen seancat për çështjet që nuk presin. Paralizimi i drejtësisë do të sjellë pasoja në të ardhmen. Arkivimi i çështjeve sjell efekte të pariparueshme.”, pohoi ajo.