Lame i dorëzon Arqidioqezës Metropolitane në Shkodër 7 leje legalizmi
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame në prag të festave të fundvitit i ka dorëzuar Arqidioqezës Metropolitane Shkodër- Pult 7 leje legalizimi përkatësisht për objektin e kultit (kishë) dhe objekteve të tjera rreth saj si: kopshti i fëmijëve, qëndra kulturore, qëndra sportive, qëndra katekistike, shtëpia e priftit dhe shtëpia e miqve të ndërtuara rreth 20 vite më parë në Pulaj, Velipojë.
Këtë leje drejtori ia dorëzoi famulltarit të Velipojës Don Marian Gega. Gjithashtu ju dorëzua leja e legalizimit për Kuvendin e Motrave Franceskane të Dillingenit, Motër Maria Heidel. Vetëm këto objekte janë ndërtuar në rreth 15.000 metra katror sipërfaqe.
Po në këtë aktivitet Drejtori Artan Lame shpërndau edhe 100 leje legalizimi për banorët e Velipojës. Para se të fillonte shpërndarjen, Lame u ndal pak tek siguria e ndërtesave që u legalizuan. Ai ju kërkoi qytetarëve që të rishikojnë objektet e tyre për të bërë forcimin e duhur, pasi tërmeti i shtatorit dhe i nëntorit dëshmoi se shumë objekte informale nuk ishin bërë në cilësinë e duhur. Ndërsa theksoi se vetëm nëpërmjet legalizimit mund të bënin të mundur edhe sigurimin e banesës apo biznesit.
“Pasi të merrni lejen e legalizmi bëni një verfikim të ndërtimit që keni! Shikoni problemet e fshehta me ndërtimin! Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment se cfarë na kujtoi tërmeti i shtatorit dhe i nëntorit. Duhet që herë pas herë të bëjmë një kontroll për qëndrueshmërinë. Kjo vlen në përgjithësi për banësat, por vlen në mënyrë të vecantë për ato që i përdorin në funksion të të tjerëve (hotele). Institucionet shtetërore janë në dispozicion për të bërë verfikimin e ndërtesave, pasi të përmbyllet procesi i legalizimit dhe për ato objekte që përmbyllin procesin e legalizimit dhe ju hapet mundësia për të marrë një leje ndërtimi për të bërë shtesa. Sa më shpejt në të përmbyllim procesin e legalizimit aq më shumë ndihmojmë në këtë proces për certifikikmin e ndërtesave”, u shpreh Lame.
Ai ju kujtoi qytetarëve, që ende nuk e kanë përfunduar procesin, të interesohen për të plotësuar dokumentacionin që nevojitet.
“Velipoja përballon aktualisht një pjesë të mirë të turizmit vendas. Sa më shumë të përmirësohet situata, aq më mirë përballohet edhe niveli i shërbimit dhe i cilësisë në zonën turistike. Për zonat që kanë mbetur në Velipojë, ne po shkojmë drejt mbylljes së procesit të legalizimit. Unë do ju thoja vetëm një gjë: Procesi i legalizimit është tërësisht i shkëputur nga procesi i certifikimit të ndërtesës, nëse mban apo nuk mban. Legalizimi ju shërben për tju pajisur më dokument pronësie, të cilin mund të përdorni për të marrë një leje ndërtimi për të plotësuar objektin, për ta shitur, për ta blerë, pra për ta futur në qarkullim. Ju lutem flisni me ata që janë ende në proces thuajni: Ja ne ku i kemi letrat, shkoni plotësoni dokumentacionin për të finalizuar legalizimin”, bëri thirrje drejtori i Përgjithshëm.