Lame: Kontrolli mbi territorin problem tipik ballkanas

Nisi sot punimet tryeza rajonale “Informaliteti në Territor, Sfida dhe Zgjidhje” me përfaqësues të institucioneve përkatëse nga vendet e Ballkanit, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Në fjalën e hapjes kreu i ALUIZNI-t tha se kjo tryezë ishte organizuar për diskutuar çështje me interes të përbashkët të problematikave specifike të këtyre vendeve.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame e cilësoi një problem tipik ballkanas problemin e kontrollit mbi territorin, ndërsa shtoi se qeveria aktuale e ka vendosur zgjidhjen e këtij problemi në prioritet.

“Më tepër sesa malazez, shqiptarë apo maqedonas ne duhet të mbledhim mendjen të themi jemi ballkanas, me të njëjtat virtyte udhëheqëse me të njëjtat merita dhe mangësi, apo me të njëjtat zakone. Kontrolli mbi territorin dhe përgjithësisht zgjidhja e halleve individuale me mjete kolektive mbeten dy nga problemet tipike ballkanase që nga errësira e kohëve dhe deri në kohët e sotme. Por në krahun tjetër shteti modern është ai, dhe vetëm ai, që ka kontroll absolut mbi territorin dhe që i zgjidh hallet e shtetasve të vet përmes përqasjes kolektive”, tha ai në fjalën e hapjes së kësaj tryeze.

Lame shtoi se “shkatërrimi i territorit është rasti tipik kur mund të themi se i vetmi mësim që mund të nxirret nga gabimet është se askush nuk nxjerr mësim nga gabimet. Tani ka ardhur koha të riparojmë dëmet, të mësojmë nga njëri-tjetri, të paktën se si e ka përballuar secili vend problematikën e informalitetit në territor”.Përllogaritja e fundit e bërë për rastin shqiptar kap shifrën e 427 mijë objekte pa leje, por Lame theksoi se vetëm vitin e fundit janë legalizuar më tepër objekte se në 8 vitet e mëparshme të mbledhura së bashku.

Zv. Kryeministri z.Niko Peleshi e cilësoi këtë problem si një çështje të tranzicionit dhe tha se ky takim është i rëndësishëm pasi adreson një nga çështjet e ditës, çështje që qeveria shqiptare ka vendosur ta adresojë me prioritet dhe shpejtësi, theksoi ai. “Besojmë se kjo çëshje ose zgjidhet shpejt me ritëm të lartë ose humbet kredibilitetin dhe futet në rrugë pa zgjidhje. Legalizim do të thotë mbrojtje e territorit, vijë e kuqe pas së cilës çdo ndërtim do të bëhet i planifikuar i miratuar nga strukturat përkatëse”, tha Peleshi.

Maqedonia me përfaqësuesit e saj solli rastin e suksesit të këtij procesi duke deklaruar se janë në rrugë të mbarë me dhënien e mbi 100 mijë lejeve, ndërsa përfaqësuesja nga Mali i Zi tha se të gjitha ndërtimet e bëra në zonat e mbrojtura apo në zonat bregdetare do të paguajnë taksë deri në momentin që qeveria vendos ti legalizojë ose ti shembë. Përfaqësuesi i Kosovës tha se po punohet për legalizimin e ndërtimeve, por se ndryshe nga Shqipëria nuk ka raste të ndërtimit në tokë të të tretëve, por janë ndërtuar në tokën e tyre ose në tokë shtetërore.

SHKARKO APP