Lamtumira për Dritën, burri i viktimës: Nipi të dënohet
Mes dhimbjes dhe shokut, Drita Saliaj, gruaja që u vra nga nipi i burrit me dy shokët e tij në Mallakastër është përcjellë për në banesën e fundit. E ndjera ra pre e një grabitje që përfundoi me humbjen e jetës. U grabit, u dhunua dhe më pas u mbyt në rezervat. Ahir Saliaj, bashkëshorti i së ndjerës kërkon drejtësi në mënyrë që autorët e vrasjes të marrin ndëshkimin e merituar, edhe pse njëri prej tyre është nipi i tij, djali i vëllait. Ai tha se e kishte lënë disa herë vetëm bashkëshorten por ajo nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim. “Patjetër, edhe fëmija po të ishte ai është krim”. Në polici tre të rinjtë kanë pranuar krimin dhe sipas burimeve kanë shfaqur pendesë. Nipi 16-vjeçar ka qenë mes personave të familjes që kishin shkuar në polici për të denoncuar zhdukjen e 51-vjeçares. Hetuesit kanë vërejtur paqëndrueshmëri në deklarime dhe gjatë marrjes në pyetje e kanë bërë të pranojë vrasjen.
Nga ana tjetër, policia nuk e ka lejuar nënën e autorit, kunatën e viktimës, që të merrte pjesë në ceremoninë mortore për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm në këto momente hidhërimi. Në shtëpinë e 16-vjeçarit nuk ndodhet asnjë person dhe dera është e mbyllur. Nëna e autorit, që ishte e vetme në shtëpi është larguar. Burri i saj ndodhet në burg, ndërsa djali u arrestua për vrasjen.
Mitat Saliaj, kunati i viktimës, shprehet për mediat se 16-vjeçari që është edhe nipi i tij, është përdorues droge. “Isha te djali se jam operuar nga zemra. Nuk kuptoj gjë, sa erdha, hapa derën, pashë që e kanë shqyer kanë hyrë nga lart. Në shtëpi kisha 2-3 mln lekë mall. Nuk di gjë sa kanë marrë, tëra veglat. Derën nuk e kanë kapur, kanë hyrë nga tavani. Policia nuk dinte gjë. Unë sapo jam kthyer nga Greqia. Kur isha këtu unë vija njëherë në 15 ditë. Autorët, ky nipi nuk ka qenë djali i mirë, por edhe të tjerët ashtu ishin. Ishte djalë i keq, drogë dhe të gjithë gjërat i ka bërë. Nuk ka qenë i dënuar më parë, të atin e ka brenda”. Ndaj me zemërim për krimin më të rëndë të shënuar vitet e fundit në zonë, ata kërkojnë dënim ekstrem. “Unë si nënë për Dritën, ti marrin ata djemtë dhe ti hedhin atje ku e kanë hedhur Dritën. Ti varrin këtu dhe ti hedhin atje, pa dalë shpirti siç nuk i doli Dritës”. Dyshimet janë se tre të rinjtë u futën në shtëpinë ku gruaja ishte e vetme për të vjedhur. “Dritës nuk i linte i shoqi para”.
Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj ishte për ngushëllim në banesën e 51-vjeçares që u vra nga nipi i burrit dhe dy shokët e tij. Ai tha se ngjarja është shumë e rëndë dhe e hidhur. Përsa i përket ankesave të banorëve për vjedhje, ai tha se si çdo zonë edhe kjo ka problemet e veta. “Është një rast shumë i hidhur dhe i rëndë, unë edhe në emrin tim dhe pozicioni i shpreh ngushëllimet. Organet ligjzbatuese kanë vepruar në kohë rekord për vënien para përgjegjësisë të përgjegjësve. Kjo është një ngjarje, që organet do të përcaktojnë gjithcka që ka ndodhur. Banorët ankohen për vjedhje? Nuk është një fenomen shqetësues për periudhën që drejtoj, por si çdo zonë ka problemet e veta dhe organet marrin masat në çdo rast”.