Lamtumira për Kastriot Reçin, autori i maskuar si grua priti 5 orë (Zbardhet skema e vrasjes)
Nga mënyra se si është kryer vrasja ndaj Kastriot Reçit, mendohet se ekzekutori është qitës profesionit dhe i stërvitur mjaft mirë, ngjashëm me komandot e ushtrisë dhe policisë që qëllojnë me snajper në distancë. Me një plan të mirëorganizuar në çdo detaj është ekzekutuar ditën e djeshme me snajper me një plumb në zemër. Ky atentat është kryer nga dy persona, njëri shofer dhe tjetri qitës. Rezulton se autori ka qenë një vrasës profesionist. I maskuar si një grua dhe me veshje të zezë, autori ka mbërritur në Rrëshen së bashku me bashkëpunëtorin që në mëngjes dhe ka nxjerrë nga bagazhi i makinës një çantë në të cilin kishte fshehur snajperin dhe është drejtuar për te pallati i ”hasmit” të 47-vjeçarit, Tonin Gjini, nga ky ka kryer ekzekutimit, detaj ky që vërteton se vrasja ka ardhur për motive hakmarrje.
47-vjeçari ka mbërritur në lokalin në pronësi të tij “Mirdita” pas 5 orësh. Që pas vrasjes së vëllait në Itali, Gasper Reçi dy vite më parë, ai kishte kufizuar shumë lëvizjet, madje mësohet se ulej gjithmonë në një cep të lokalit të tij, pasi i druhej një atentati të mundshëm. Në atë mëngjes ai shoqërohej nga një nga vëllezërit e tij. Sapo kanë parkuar makinën, dy vëllezërit janë drejtuar hyrjes së lokalit, por Reçi është ndalur që të takoj një grua me një fëmijë, e ndërsa vëllai i tij është futur në ambientet e brendshme të lokalit. Sa ka përfunduar takimin me gruan, autori i cili po e ruante prej 5 orësh, e ka qëllua nga një distancë rreth 150-200 metra largësi me një plumb të vetëm në zemër duke i marrë jetën në vend.
Ndonëse e gjithë ekzekutimi i kësaj vrasjeje ishte i mirëmenduar deri në detaje, autori ka lënë gjurmë që mund të ndihmojnë grupin hetimor në zbardhjen e këtij atentati. Në pallat është gjetur snajper, e ndërsa disa km më tutje, në dalje të qytetit, në afërsi të Tregut është gjetur parukja që ai e kishte përdorur si kamuflim. Parukja është dërguar në laborator për të parë mbetjet biologjike. Nga ana tjetër, e gjithë skena është regjistruar nga dy kamera sigurie.
Vëllai i Kastriot Reçit, ka treguar dinamikën e ngjarjes së rëndë, ku dhe ai vetë ishte dëshmitar. Bëhet fjalë për një prej 7 vëllezërve Reçi, i cili ka qenë bashkë me 47-vjeçarin por ishin ndarë vetëm disa sekonda. Ai ka rrëfyer se e ka gjetur vëllain të shtrirë përmbys. Plumbi, siç tregon ai ka qenë mes shpatullave. ”Ne sapo kishim parkuar makinën dhe u nisëm drejt lokali ‘Mirdita’. Kastrioti po fliste në telefon dhe unë vazhdova më para dhe u futa në lokal. Akoma nuk isha ulur në karrige kur dëgjova njerëz tek bërtisnin dhe grumbulloheshin. Dola menjëherë i habitur pasi as krisma nuk dëgjova, dhe pashe vëllain të shtrirë përmbys. Nuk kishte shumë gjak në rrugë dhe menjëherë e dërguam tek spitali. Kur e zhveshëm në spital, pamë që ai kishte marrë një plumb mes dy shpatullave dhe kishte ndërruar jetë menjëherë”.
Pista e vetme ku është përqendruar grupi hetimor, vazhdon të mbetet ajo e hakmarrjes. Dy vite me parë, në Romë të Italisë, u vra vëllai u vra vëllai i Kastriot Reçit, Gasper Reçi. Dyshimet për vrasjen e këtij te fundit, lidhen më vrasjen e ish-zyrtarit të OSHEE, në Rrëshen, Sajmir Jaku. Pas vrasjes së Gasper Reçit, në Belgjikë ndodh një tjetër vrasje. Viktimë mbetet Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut. Dyshimet e policisë belge ishin se vrasësit ishin shqiptare dhe krimi u krye për gjakmarrje. Ndërkaq në gusht të vitit të kaluar, në Rrëshen u vra edhe Armand Gjini i njohur ndryshe si Tonin Gjini. Më herët ky i fundit i kishte shpëtuar një atentati me tritol. Për të gjithë personat që kanë informacione të vlefshme për autorin, në dispozicion nga policia janë vënë 2 milionë lekë.