Largimi i Kalos dhe përfshirja e mjekëve në zgjedhje, Pipero: Najada Çomo në PS, lajm i keq për Infektivin. Politika duhet të fliste më pak
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i ftuar në “Radari Informativ” foli për situatën epidemiologjike, largimin e mjekut Tritan Kalo nga Komiteti Teknik i Ekspertëve si edhe përfshirjen e mjekëve në politikë.
Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, Pipero u shpreh se në këtë situatë të vështirë pandemie të gjithë ekspertët kanë komunikuar me njëri-tjetrin për të dhënë kontributin dhe për të qenë sa më profesional në detyrën e tyre.
Pipero nuk komentoi vendimin e mjekut infeksionit, Tritan Kalo për tu larguar nga Komiteti, duke u shprehur se më së miri këtë çështje mund ta sqarojë vetë Kalo.
“Ky Komitet është shumë i rëndësishëm dhe për këtë largim nuk duhet të më pyesni mua. Se sa dëgjohet Komiteti i Ekspertëve duhet të pyesni ato. Pavarësisht se kanë veshur këtë petk besoj fort se tek secili nga ata prevalon profesionalizmi. Si do të ndodhë nuk e di. Por ndoshta krahas atij Komiteti duhet të kishte edhe mini-komitete. Por theksoj se të gjithë ne specialistët kemi komunikuar me njëri-tjetrin”, tha Pipero.
Ndërsa u ndal tek përfshirja e mjekëve në politikë, Pipero tha se ndoshta politika duhet të kishte folur më pak për t’i dhënë më shumë hapësirë specialistëve.
“Ndoshta politika duhet të kishte folur më pak për t’i dhënë më shumë hapësirë specialistëve. A ju mbushet mendja që ne mjekët infeksionistë që po merremi me të prekurit Covid-19 pothuajse po e harrojmë pjesën tjetër të mjekësisë. Por them që vendimi për përfshirjen në politikë është i vështirë sepse duhet të ruash profesionalizmin”, tha më tej Pipero.
Kalimi i Najada Çomos te PS-ja
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka komentuar afrimin e Shefes së Infektivit Najada Çomo në Partinë Socialiste, pas ftesës së kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në Radar Informativ me Jonida Shehun, Pipero e cilësoi si lajm të mirë për politikën shqiptare dhe lajm të keq për Infektivin.
“Unë besoj se ky është një lajm i mirë për parlamentin. Është një lajm jo i mirë për Infetkivin se Najada është një nga shtylla kryesore, ka eksperiencën përkushtimin. Ka dhënë dhe po vazhdon të japë diçka. Fakti që u thirr nuk na bën xheloz por ndihemi të përfaqësuar”, tha Pipero.
I pyetur se nëse do t’i bëhej e njëjta ftesë a do ta pranonte, Pipero tha se për të nuk është koha e përshtatshme që t’i futet politikës.
“Është pyetje e vështirë. Nuk e jap dot përgjigjen e saktë tani. Kam diskutuar në familje, kam biseduar edhe me vajzën, të paktën për mua nuk është koha e përshtatshme për t’ju futur politikës sepse kemi Covidin përballë. Na duhen më shumë punë për ta mundur pandeminë. Duhet ta kesh ofertën që ta marrësh vendimin. Ju thoni kurrë mos thuaj kurrë. Është pyetje hipotetike. Po të ishte oferta do mendohesha mirë”. Nuk është politika tek ne kaq e hapur dhe kaq dashamirëse me intelektualët. Mirëpo një aset një vlerë si doktoreshë Najada i bën mirë parlamentit. Çdo e mirë e ka një të keqe, tha mjeku.