Largimi i ministres Shahini, Balla: Gjithkush rekrutohet sipas meritave

Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, ka komentuar lëvizjet në kabinetin qeveritar. Pas mbarimit të dy orë mbledhjeje kokë më kokë me kryeminsitrin Edi Rama dhe drejtuesit politikë në qarqe, Balla u pyet për largimin e Besa Shahinit nga Ministria e Arsimit dhe nga Shqipëria.

Duke mos iu përgjigjur pyetjes në mënyrë të drejtëpërdrejtë, Balla tha se PS-ja ka bërë reformën më të thellë në sistemin arsimor shqiptar, duke e depolitizuar procesin e ndyrë të emërimeve në shkolla.

”Partia Socialiste ka bërë reformën më të thellë në sistemin arsimor shqiptar, duke e depolitizuar procesin e ndyrë të emërimeve në shkolla. Ka ikur koha që ikën një drejtor arsimi dhe vjen një tjetër. Kjo është e vulosur në ligjin për arsimin parauniversitar dhe mësuesit rekrutohen sipas meritës”,- tha Balla.

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot drejtuesit politikë të qarqeve për të dhënë porositë e prera për ditën e zgjedhjeve, 25 prill. Rama është treguar i prerë duke kërkuar 74 mandate, ndërsa struktura e FRESSH do të riformatohet. Kryeminsitri kërkoi nga të vetët dalje në terren dhe punë për të fituar mandatin e tretë.

SHKARKO APP