”Largimi i Ramës edhe me mosbindje civile”, Berisha: Shqiptarët më 11 shkurt do të thonë fjalën e tyre

Kryetari i PD-së, Sali Berisha pas mbledhjes me drejtuesit politik dhe drejtuesit e qarqeve në seli, tha se largimi i kryeministrit Rama me të gjitha mjetet, duke përfshirë mosbindjen civile është misioni i të gjithë misioneve.

“Të largojmë me çdo kusht nga pushteti, këtë demon të pushtetit i cili për të shkatërruar pluralizmin dhe konsoliduar karrigen e tij nuk ndalet para asnjë akti. Nuk njeh asnjë kufi, nuk njeh asnjë normë morale, asnjë standard, ligj, kombëtar apo ndërkombëtar. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë, përndryshe, qytetarët shqiptarë do ta hedhin në Lanë, përndryshe, qytetarët shqiptarë do të rivendosin reputacionin, dinjitetin, moralin e tyre. Kurrë ndonjëherë që nga koha e Enver Hoxhës, dinjiteti i këtij kombi, këtij vendi nuk është poshtëruar në këtë mënyrë. Largimi i Edi Ramës me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë mosbindjen civile është sot misioni i të gjitha misioneve të qytetarëve shqiptarë, të popullit opozitar”,-u shpreh Berisha.

Po ashtu sipas Berishës, shqiptarët do të thonë fjalën e tyre më 11 shkurt për ta larguar nga pushteti qeverinë dhe kryeministrin Rama, të cilin kryedemokrati e cilësoi uzurpator.

”Unë kam besim të madh se me 11 shkurt, Shqipëria, i madh e i vogël do të vërshojë drejt Tiranës në betejën e fitores, e përmbysjes së Edi Ramës. Tirana e tëra do të derdhet në rrugë, në shesh për të larguar nga pushteti një uzurpator, për të larguar nga pushteti një kryeministër i cili me qëndrimet e tij është sot, njeriu më i damkosur në të gjithë botën e lirë. Njeriu që ka kryer akte ndaj SHBA-së, sikur Shqipëria të ishte një vend në armiqësi me atë vend. Shqiptarët me 11 shkurt do të thonë fjalën e tyre. Faleminderit”,-tha më tej kreu i PD-së.

SHKARKO APP