Largimi i Tritan Kalos nga Komiteti, Brataj: Zgjedhje personale, kurse kandidimi i Çomos…
Largimi i mjekut të mirënjohur Tritan Kalo nga Komitetit Teknik i Eksperteve, për kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj është një zgjedhje personale. ”E mora vesh nga mediat dhe nga mesazhi i vetë Prof.Kalos. Zgjedhje personale, por ai kishte shpjeguar disa arsye te statusi i vet, që nga presioni i jashtëm, i brendshëm. Më vjen keq për një profesionist, bashkëpunoja shumë me të dhe do të bashkëpunoj, por besoj është zgjedhje personale”,-tha ai në ”News 24”.
Duke marrë shkas nga ky diskutim, që një pjesë janë politikanë, largimi i Kalos, ndërhyn politika te puna juaj?
Ne në mbledhjet e Komitetit dy herë ka qenë prezenca e kryeministrit online, edhe ministren e kemi parë shumë pak, sepse komiteti mblidhet me zëvendësministren. Nëse ne japim 30 këshillime dhe merren për bazë 20, është puna e tyre. Askush s’ka detyruar, as mua dhe as Prof. Kalon, asnjë detyrim, asnjë imponim. Komiteti është një organ këshillues, që s’ka asnjë përfitim, përvec telasheve. Ne shkojmë aty në cdo orë, grumbullohemi, është falas. Vec përgjegjësive, s’ka asgjë tjetër. Për fatin e keq, kemi arritur në periudhën e zgjedhjeve, që ka presione. E keqja është se ka profesionistë mjekë, që janë rreshtuar në politikë, por të mos bëjnë skanerin e mushkërive dhe t’ia japin partisë ta shohë. Më vjen keq për prof. Kalon. Më vjen keq që nuk do vazhdojë të jetë, se është ndër më të mirët, është i kompletuar, por besoj se Shqipëria s’më ka vetëm mua apo Prof. Kalon, ka dhe të tjerë.
Fushata elektorale, Najada Çomo largohet, lë profesionin, për t’iu bashkuar politikës. Kjo nuk lë një perceptim se politika ndërhyn te ju?
Unë kam qenë në lidhje me Shqipërinë gjatë gjithë kohës dhe thosha e them gjithmonë që politikan i zoti është ai që gjen profesionist të zot dhe e shfrytëzon. Edhe tani nëse politika gjen profesionistë, t’i shfrytëzojë. Pse mjekët duhet të rrinë mënjanë. Edhe Profesoreshë Najada, vërtet është nga shtyllat e sistemit shëndetësor dhe s’ka për ta abandonuar sido që të shkojë situata. Besoj se edhe në ekipin e saj ka kolegë të zotë dhe nuk besoj se ka lënë gjë mangët për të vazhduar më tej. Kritikun e bëjmë të gjithë shumë mirë. Është e vërtetë që të shfrytëzojnë shumëkush, edhe unë kur kam ardhur kam pasur përplasje, por vetëm duke marrë pjesë ndryshojnë gjërat. Ndryshimi nis te politika, aty është koka.
Juve ju është bërë ndonjë ftesë?
Unë po bëj punën time. Jo, nuk më është bërë një ftesë e tillë. Nëse do më bëhej, do e vlerësoj për të marrë vendim. Çdo person gjendet në këtë luftë për të ndryshuar gjërat dhe duhet të këmbëngulë.