Largohet uji nga rrugët në Vlorë! Problem balta dhe inertet. Vëngu: Dëmshpërblim për banesat, jo për bizneset
Pas kaosit të një dite më parë, përmirësohet situata gjatë pasdites në Vlorë, ku uji largohet nga rrugët e qytetit të Vlorës duke sjellë përmirësim të situatës.
Zona e Skelës, lagja Pavarësia, 28 Nëntori, Kushtrimi si dhe lagjja Albano dhe Romina kishin prezencë uji gjatë paradites duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve, por prej pasdites këto rrugë janë bërë sërish të kalueshme nga automjetet dhe qytetarët. Dëmet janë të shumta në rrugën Hasan Kushta në bizneset që operojnë në këtë zonë.
Ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu i cili drejtoi shtabin e emergjencave tha se familjet e dëmtuara do dëmshpërblehen financiarisht ndërsa bizneset jo, por mund të shihet mundësia e lehtësirave fiskale.
“Do t’i evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare që i japim mund qoftë bashkisë qoftë emergjencave të dëmshpërblejnë banorët për dëmet që janë konstatuar. Në një periudhë të shkurtër të japim resurset financiare. Bizneset kemi instrumente të tjerë që po i konsiderojmë, siç janë rimbursimet përmes instrumentit tatimor dhe evidenca e dëmeve do përcaktojë edhe vlerën e instrumenteve tatimor, supozohet që kanë instrumente të tjerë bizneset qoftë siguracioni”.