Lasgushi, ose poeti “Se dashuronte dashuria”
Aktualitet Kultura E Diel, 13 Nëntor 2022 08:52
Nga ROLAND QAFOKU
Pse Lasgush Poradeci është gjallë?! Po përse ne e dimë që ka vdekur? Përse nuk kemi folur për të? Ishte ora e mësimit të letërsisë në vitin 1986 kur i bëra pyetjet naive zyshës së letërsisë Fortunata Mullait. Por në vend që të merrja vërejtje të rëndë për pyetjet e “padenja”, zysha tha: Ora e mësimit për sot mbaroi. Mësimi vërtetë mbaroi, por jo leximi i vjershave të tij. Ato nuk ishin me dogma partie. Nuk ishte me frymë revolucionare. Nuk ishin me dogma. Ne adoleshentët e asaj kohe i lexonim sikur të ishin krijuar nga një i huaj. I lexonim si të ishin përkthime. Nganjëherë mendonim se ishin të Robert Burns-it. Por jo. Lasgushi ynë jo vetëm ishte gjallë dhe jetonte i struktur e i harruar në Poradecin e tij, por na kishte lënë krijime aq të bukura që ne i përpinim, jo i lexonim. Mes nesh, në vend të emrit Lasgush, përdornim togëfjalëshin “Se dashuronte dashuria”. Një poezi perlë e poezisë shqipe qw kwrkohej me qiri në dorë. Një lirikë që për nga stili dhe fabula kurrë se kishim lexuar më parë dhe tani më vjen aq mirë që ende nuk kam lexuar një më të mire se kjo. Epo, ishte e produkt i mjeshtrit Lasgush Poradecit. Poeti ynë i madh, më i madhi lirik i të gjitha kohrave sot ka ditëlindjen. Faleminderit Krijues që na dhurove këtë krijues poezish! (Facebook memory) (Më poshtë poezia kryevepër e Lasgush Poradecit)
SE DASHURONTE DASHURIA (Lasgush Poradeci)
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.
Q´ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh´i shtinja sytë gjith përdhe —
Gjithë përdhe m´i shtinje sytë…
Po me t´u ndarë vet e vet,
Më s´kishim turp që s´kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:
E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.
Q´ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar.
Se kish kuptim, që s´kish kuptim,
Kuptim´ i fellë-i mallit t´onë;
Se malli jon´ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;
Se s´dashuronja-as un´ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri — një fshehtësi
M´e fshehur sesa fshehtësija.