Legalizimet pa hipotekë, edhe 10 mijë leje legalizimi në proces
Zyra e Regjistrimit të Pasurive ka ende në proces regjistrimi 10 mijë leje legalizimi. Kryeregjistruesi Valdrin Pjetri u shpreh se kjo mbetet sfidë për këtë vit. Shqetësim mbetet fakti i dokumentave të këtij institucioni që rrezikojnë të dëmtohen. Për të shmangur këtë pritet të nisë dixhitalizimi i materialeve.
Në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë 10 mijë dosje me leje legalizimi që mbeten ende pa certifikatë pronësie.
Kryeregjistruesi, Valdrin Pjetri, u shpreh se sfida e këtij institucioni është hipotekimi i çdo objekti që shkon përmes ALUIZNI-t.
Valdrin Pjetri: Në inventarin fizik që ne bëmë para pak ditësh në zyrën e Tiranës rezultojnë të jenë rreth 10 mijë leje legalizimi akoma të paregjistruara. Në vitin 2018 ky stok ishte rreth 20 mijë leje, 9500 u certifikuan vitin e kaluar. Kemi vendosur target që deri në korrik 2019 të përfundojmë regjistrimin e çdo leje legalizimi.
Ndërkohë një shqetësim për këtë institucion mbetet dëmtimi i dokumentave, ndërsa në shkurt do nisë dixhitalizimi.
Valdrin Pjetri: Do fillojë shumë shpejt procesi i dixhitalizimit. Sot në arkivat tona kemi rreth 47 milion fletë të akumuluara që në krijimin e shtetit shqiptar, të cilat ruhen akoma në arkiva manuale që rrezikojnë të prishen, vjetërohen etj.
Zyra e Regjistrimit të Pasurive ka ofruar në total 300 mijë shërbime gjatë 2018.
KOHA JONË SONDAZH

