Lehtësimi i masave/ Spahia del kundër qeverisë, jep arsyet pse ky është një vendim i nxituar

Duke filluar nga nesër , disa prej qyteteve të Shqipërisë do të fillojnë lehtësimin e masave ndaj COVID-19 ku do të lejohet qarkullimi i qytetarëve sipas fashave të orareve të vendosura nga qeveria.

Për ish-deputetin e PD, Bardh Spahia, lehtësimi i masave është i nxituar pasi nuk ka një pasqyrë reale të situatës në këto zona.

“Nuk kemi një pasqyrë reale për të prekurit nga COVID-19 në këto zona të gjelbëra. A janë bërë testime në këto vende. Është e pamundur të kuptohet nëse ka të prekur apo jo pa u bërë testime. Minimalisht për personelin shëndetësor dhe ata të policisë apo dhe për punonjës të zyrave. Do të duhet të kishte të paktën një garanci për vendet e paprekura. Pastaj do të duheshin masa konkrete, për domosdoshmërinë e testimeve dhe për pajisjen me maska për qytetarët shqiptarë. E gjithë lufta bëhet për dy arsye, zbutja e kurbës për t’i dhënë frymëmarrje shëndetësisë për të mos ta bërë të papërballueshme dhe fakti që t’i japim mundësi popullatës të presin vaksinën. Të ruajmë atë shtresë të të moshuarve pasi janë më të rrezikuarit. Është e qartë se koronavirusi është shumë i rrezikshëm për këta persona dhe me ata që kanë sëmundje të tjera.”-tha Spahia për Ora News.

Spahia i bën thirrje qeverisë për të kryer sa më shumë teste në mënyrë që të gjurmojë kontaktet e personave të infektuar.

SHKARKO APP