Lejohen të kalojnë shqiptarët e bllokuar në Kapshticë dhe Kakavijë
Mbrëmjen e djeshme është bërë kalimi përfundimtar për ata qytetarë të cilët kishin ngelur në tokë neutrale në pikën kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.
Pasi janë lejuar të kalojnë kufirin, në Kapshticë është vendosur një kordon police në mesin e të dyja doganave ku nuk do të lejohet kalimi i asnjë qytetari për asnjë lloj arsye.
Të vetmet lëvizje të lejuara janë të atyre individëve të cilët kanë leje të posaçme nga ministria e jashtme, konsullata greke apo që kryejnë transport mallrash.
Edhe në Kakavijë pas 16 orësh pritje është zgjidhur problemi i 40 shtetasve shqiptarë që ishin bllokuar në këtë pikë kufitare, për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin.
Mësohet se 30 persona, që janë kryesisht të moshuar me probleme shëndetësore, gra shtatzëna dhe të mitur janë lejuar të futen në territorin shqiptar.
Ndërsa 10 të tjerë janë rikthyer mbrapsht për në Greqi. Burimet konfidenciale nga Kakavija bëjnë të ditur se 10 shqiptaret që janë kthyer mbrapsht drejt Greqisë, kanë kundërshtuar me forcë këtë veprim.
Ndërkaq kufiri me Greqinë është i izoluar tërësisht pasi janë mbyllur portat e hekurit dhe është ndërprerë puna. Kalojnë vetëm kamionë dhe furgona që transportojnë mallra ushqimore, medikamente e mallra spitalore. Konfirmohet se linja kufitare është përforcuar edhe më shumë me forca shtese nga Drejtoria e Policisë se Qarkut.