Lela: Presidenti doli i legjitimuar nga një proces deligjitimimi të nisur nga mazhoranca

Alfred Lela, drejtues i portalit politiko.al dhe analist, ishte i ftuar në studion e “Ditarit” në A2 për të dekoduar ngjarjet e politikës së ditëve të fundit.  Kur u pyet në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias për vakancat në Gjykatën Kushtetuese, Lela tha se Presidenti doli i legjitimuar nga një proces deligjitimimi të nisur nga mazhoranca kundër tij.

“Venecia i dha të drejtë Presidentit dhe duke i dhënë të drejtë atij, zbuloi qëllime politike për akses politik në hierarkinë e gjyqësorit të ri. Kjo tregon që për imperfeksionet është e investuar mazhoranca, që ka fuqinë për t’i shkaktuar këto imperfeksione për interesat e veta. Presidenti doli i legjitimuar nga një proces deligjitimimi të nisur nga mazhoranca kundër tij”.

Sipas tij, 15 kushtet për hapjen e negociatave ekzistojnë, pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama. “15 kushtet ekzistojnë, pavarësisht se çfarë thotë Edi Rama. Në një tango me dy apo më shumë partnerë, siç janë negociatat, nuk mund të zhbëhen kushtet. Edhe Reforma Zgjedhore është pjesë e 15 kushteve”. Lela theksoi gjithashtu se Reforma Zgjedhore nuk e ka zgjidhur ngërçin politik. ”Është një armëpushim por nuk është fundi i betejave. Me siguri do të shohim beteja të reja për të njëjtat çështje, të ripaketuara ndryshe”.

SHKARKO APP