Lëndë të rrezikshme, AKU kërkon asgjësimin e 36 tonë akullore Bounty, Snickers dhe Twix

36 tonë akullore ‘Bounty’, ‘Snickers’, dhe ‘Twix’ të hyra në Shqipëri së fundmi janë të rrezikshme për shëndetin.  Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar asgjësimin e tyre pas alarmit të ngritur nga sistemi për sigurinë ushqimore i Bashkimit Europian më 31 korrik.

“Bëhet fjalë për produktin akullore të disa markave, por që janë importuar në Shqipëri nga dy distributor të mëdhenj. Sasia totale e importit për të dy këta operatorë biznesi është 35 984 kilogramë. Bëhet fjalë për një substancë të paautorizuar që është oksid etileni, i cili është në brendi të stabilizuesit ligomë që përdoret për prodhimin e akullores”, shprehet Pamela Radovani, përgjegjëse e informimit AKU.

Studimet tregojnë se ekspozimi ndaj kësaj substance mund të rrisë rrezikun e kancerit. Sipas AKU, këtë detyrim e kanë subjektet tregtare, pasi informimi nga institucionet do të krijonte panik të panevojshëm dhe goditje të biznesit.

AKU-ja thotë se po vijon puna për kthimin e akulloreve me probleme në kompanitë importuese. Pas grumbullimit, pritet që këto të fundit të kryejnë dhe asgjësimin e mallit.

SHKARKO APP