Leo fillon klasën e parë, por sërish në “krahët” e së ëmës
Nga Albina Gjergji
Mijëra fëmijë janë ulur sot në bankat e shkollës, por për fëmijët e klasës së parë ky emocion ka qenë edhe më i veçantë. Lule për mësuesen, njohja me shokë e shoqe të reja, fotografi dhe kujtime që do i shoqërojnë gjatë gjithë jetës do të mbeten për ta detajet më të bukura të fillimit të një kapitulli të ri.
Edhe për Leart Hasanllarin, (apo siç e njohim më së shumti, Leo) sot ka qenë një ditë e veçantë, sepse edhe ai si shumë bashkëmoshatarë të tij pas betejës së fituar me operacionin në këmbë ka nisur klasën e parë. Këtë lajm e konfirmon për “Koha Jonë” e ëma e Leos, e cila pas peripecive të shumta që kaloi pak kohë më parë lidhur me mospranimin e Leos në shkollat e kryeqytetit, më në fund ka arritur ta bëjë të lumtur atë, duke e shoqëruar si gjithë fëmijët e tjerë në shkollë. “Sot Leo ka shkuar në klasën e parë dhe jam shumë e lumtur, sepse ka qenë shkolla “Gjon Buzuku”, ajo që na hapi krahët dhe na mirëpriti”, tregon Anxhela.
Ky institucion ka marrë përsipër regjistrimin e të birit dhe siç na tregon e ëma, ka qenë drejtoresha e shkollës ajo që ka siguruar kujdes dhe trajtim të veçantë për Leon, kjo për vetë gjendjen shëndetësore, në të cilën gjendet ai.
Por, po sipas Anxhelas, edhe pse shkolla i ka ofruar gjithë mbështetjen e mundshme, çështja e transportit nuk është zgjidhur akoma.
Gazeta “Koha Jonë” e ka ndjekur hap pas hapi rastin LEO dhe para dy javësh, pas publikimit të refuzimit të shkollave, pati një reagim nga Ministria e Arsimit, e cila kontaktoi me Anxhela Hasanllarin, duke i dhënë dritë jeshile problemit të saj. Por, vetëm fjalë…! Një takim, asgjë më shumë…
Edhe pse sot ishte dita e parë e shkollës ku e ëma e regjistroi, akoma nuk ka një reagim zyrtar nga ky institucion për t’i ardhur në ndihmë fëmijës me aftësi të kufizuar. Qoftë edhe vetëm për t’u informuar se çfarë u bë me regjistrimin e Leos në shkollë, ashtu edhe për sigurimin e transportit dhe mbulimin e shpenzimit vjetor, as edhe një shenjë… Prandaj, e ëma e Leos, me gjithë mirënjohjen e madhe që ndjen për shkollën “Gjon Buzuku”, thotë për “Koha Jonë”, që edhe pse ka arritur ta regjistrojë të birin në klasë të parë, nëse nuk do t’i sigurohet transporti nga shteti do të jetë e detyruar ta heqë atë nga shkolla.
“Nëse nuk zgjidhet nga shteti problemi i transportit për Leon ne përsëri do e heqim nga shkolla, sepse nuk mundemi ta çojmë dot me karrocë, pasi nuk është një ditë, por është një vit”, shprehet mami i Leos, e cila prapë është optimiste, duke qenë se shkolla “Gjon Buzuku” ka treguar gatishmëri për rastin Leo, por mesa duket Ministria e Arsimit ende jo. As për transport, as për pagesën vjetore që, për fëmijët me aftësi të kufizuara supozohet t’i mbulojë institucioni i Bashkisë dhe MA!