Letra e fortë nga Zonja e Parë e Ukrainës: Gra dhe fëmijë po jetojnë në bodrume me bomba

E angazhuar me luftën dhe aspak mediatike në krahasim me bashkëshortin e saj që është kthyer në fryëzim të botës, zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka publikuar një letër të hapur në rrjete sociale.

Ajo tregon atë që ka ndodhur dy javët e fundit në vendin e saj. Zonja e parë thekson se pavarësisht garancive nga organet propagandistike të Kremlinit, të cilët e quajnë këtë një “operacion special”, në fakt kemi të bëjë me vrasje masive të civilëve ukrainas.

“Ndoshta gjëja më e tmerrshme e këtij pushtimi janë viktimat mes fëmijëve. 8-vjeçarja Alice që vdiq në rrugët e Okhtyrkas, ndërsa gjyshi i saj u përpoq ta mbronte. Apo Polina nga Kievi, e cila vdiq gjatë sulmeve me granata bashkë me prindërit e saj. 14-vjeçari Arseniy u godit në kokë nga rrënojat dhe nuk mundi të shpëtohej sepse një ambulancë nuk t’i vinte në ndihmë në kohë, për shkak të sulmeve intensive. I porsalinduri i parë i luftës pa tavanin e betonit të bodrumit, fryma e parë e tij ishte ajri i acartë i nëntokës. Në këtë pikë, janë disa dhjetëra fëmijë që kurrë nuk kanë njohur paqe në jetën e tyre”, shtohet në letër.

Ndër të tjera, Zelenska theksoi se presidenti rus Vladimir Putin e ka nënvlerësuar rezistencën e ukrainasve. “Teksa propagandistët e Kremlinit mburreshin se ukrainasit do t’i mirëprisnin me lule si shpëtimtarë, ata janë sulmuar me koktej molotov”.

Ajo tregon edhe se gratë dhe fëmijët tani jetojnë në strehimore dhe në bodrume me bomba. “Këto janë vetëm pasoja të luftës për disa, për ukrainasit tani janë një realitet i tmerrshëm. Në disa qytete familjet nuk mund të dalin nga strehëzat për disa ditë rresht, kjo për shkak të bombardimeve”.

SHKARKO APP