Letra rrëqethëse e prindërve të Martin Canit: I jemi mirënjohës për mësimet që na la

”Ëndrra vazhdon”, kështu nis letra e dytë nga familja e Martin Canit, 14-vjeçari që u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij. Ata i kanë falënderuar të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes në këtë ngjarje të rëndë. Në letrën e bërë publike, po ashtu ata shprehen ndër të tjera se ëndrra e vazhdon se Martini është pranë nesh. ”Ai na mësoi se ëndrrat nuk ndalen kurrë. Përmes tij, ne guxojmë të ëndërrojmë më shumë. Martini nuk ishte thjesht një emër, por një dritë që ndriçon rrugën e çdo zemre që beson në guxim dhe në të pamundurën. Ëndrra vazhdon dhe Martini do të jetë gjithmonë mes nesh”,-thuhet në letër.

Letra e plotë

Ëndrra vazhdon. Hapat që ti hodhe shtruan një qilim idesh, ëndrrash dhe objektivash, ku ti ishe nismëtar e ne të gjithë bashkëudhëtarë. Zgjoheshim me buzëqeshjen tënde, motivoheshim me ambicjet e tua, drekonim e darkonim me dëshirat dhe sukseset e tua. Dhoma ku ti thurje ëndrrat, streha ku ti u linde, u rrite dhe luftove për qëllimet e tua, nga sot e tutje do të jetë strehë për çdo futbollist, mik e admirues që e deshi dhe do ta dojë përgjithmonë MARTININ.

Në mure do të gjeni fjalët, batutat, ëndrrat dhe objektivat e tij. Çdo fotografi, bluzë, top, aksesor apo mesazh, detyrat në fletore, të përfunduara apo jo… çdo gjë që gjithsecili nga ju ia kushton kampionit, është i mirëpritur në strehën e MARTINIT. Kjo strehë nuk është thjesht një vend, por një burim frymëzimi, ku çdo i ri do të mësojë që puna, pasioni dhe përkushtimi mund t’i shndërrojnë ëndrrat në realitet. Sot, i jemi mirënjohës Martinit për mësimet që na la. Për buzëqeshjen që ndriçonte çdo ditë, për forcën që frymëzonte ekipin dhe për shpirtin e tij të palodhur që kërkonte gjithmonë më të mirën.

Gjej rastin të falenderojmë nga thellësia e shpirtit familjen, fisin, miqtë, mësueset/it, trajnerët, të gjithë popullin shqiptar, në Shqipëri, diasporë, e kudo… që u solidarizuan dhe na u gjendën pranë në këto çaste tepër të vështira për familjen tonë, tifozat KUQ E ZI, që mbajtën 1 min heshtje në Air Albania, FSHF e në veçanti Presidentin Armando Duka. Falenderime e bekime për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij udhëtimi të mrekullueshëm, sepse Martini nuk ishte vetëm një individ – ai ishte një frymë, një forcë që na bashkoi dhe vazhdon të na udhëheqë.

Nga lart, Martini na shikon dhe na përshëndet me një mesazh të qartë: “Këtu më kini, si dikur. Unë jam këtu, dhe do të jem përgjithmonë”. Ai na mësoi se ëndrrat nuk ndalen kurrë. Përmes tij, ne guxojmë të ëndërrojmë më shumë. Martini nuk ishte thjesht një emër, por një dritë që ndriçon rrugën e çdo zemre që beson në guxim dhe në të pamundurën. Ëndrra vazhdon dhe Martini do të jetë gjithmonë mes nesh. Ju faleminderit nga zemra të gjithëve Angel & Florina CANI!

SHKARKO APP