Letrat e pasurisë, Lul Berisha plotëson formularin. Dosja i kalon SPAK-ut
Një ditë pasi Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin e deklarimit të burimit të pasurisë, Lul Berisha iu është përgjigjur pyetjeve të OFL.
Avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi ka bërë me dije për mediat, se deklarata e klientit të tij tashmë është dërguar në drejtorinë e Policisë. “Klienti im firmosi deklaratën e pasurisë. Deklarata u dërgua në drejtorinë e Policisë”-është shprehur Hysi.
Me plotësimin e formularit, dosja e Lulzim Berishës i kalon SPAK. SPAK, brenda 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.