Lëvizja Bashkë: Tirana, kantier për oligarkët dhe krimin e organizuar

Lëvizja Bashkë shkruan në Facebook:

TIRANA, KANTIER PËR OLIGARKËT DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Lejet e fundit të ndërtimit të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), ngrenë shqetësime serioze për vazhdimin e pastrimit të parave të krimit të organizuar. Tani radhën për të hipur në fronin e kullës më të lartë në Shqipëri e ka biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i cili do të ndërtojë një kullë me 65 kate në Bulevardin e Ri. Me këtë objekt, Shkëlqim Beshiri zbret nga froni Agron Papulin me 60-katëshin e tij në Rrugën e Kavajës.

Procesi i miratimit të lejeve të ndërtimit është karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe konsultimit me publikun. Vendimet merren në fshehtësi dhe pa përfshirjen e banorëve të zonave të prekura. Kjo mungesë transparence krijon dyshime për korrupsion dhe konflikt interesi, duke favorizuar një numër të vogël oligarkësh dhe drejtuesit e krimit të organizuar.

Hetimet e fundit nga SPAK-u për projektin “Mali i Tiranës” janë për pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Ky hetim është një ndër rastet e rrallë ku dyshimet për aktivitetet e paligjshme në sektorin e ndërtimit janë adresuar me seriozitet. Dyshimet për pastrim parash përfshijnë lidhje komplekse mes biznesmenëve dhe politikanëve të fuqishëm, ku aktorë të ndryshëm kanë shfrytëzuar këtë projekt për të legalizuar fonde të paligjshme. Kjo çështje është denoncuar vetëm nga Lëvizja BASHKË, e cila ka treguar kurajo dhe këmbëngulje në luftën kundër korrupsionit dhe betonizimit të Tiranës.

Sekuestrimi i aseteve të ndërtuesit Elman Abule, një tjetër rast i denoncuar nga Lëvizja BASHKË, ka zbuluar lidhjet e tij të ngushta me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Abule akuzohet për pastrim parash, dhe ky veprim i Prokurorisë së Tiranës ka hedhur dritë mbi mënyrat se si fondet e paligjshme mund të jenë integruar në projekte të mëdha ndërtimi në kryeqytet. Ky rast përforcon dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në skemat e pastrimit të parave, duke theksuar nevojën për një transparencë më të madhe dhe mbikëqyrje të rreptë në proceset e miratimit të lejeve të ndërtimit. Lëvizja BASHKË mbetet e vetmja parti politike dhe nga të paktët zëra publikë që vazhdon të sfidojë status quo-në dhe të kërkojë llogaridhënie për këto çështje të ndjeshme.

Është e qartë se mungesa e reagimit nga aktorët kryesorë politikë dhe media ka krijuar një atmosferë të pandëshkueshmërisë për ata që abuzojnë me pushtetin dhe interesat publike. Prandaj, ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të veprojë me vendosmëri dhe urgjencë për të hetuar të gjitha lejet e ndërtimit në Tiranë, duke siguruar që çdo shkelës të ndëshkohet. Vetëm përmes një hetimi të plotë dhe të drejtë mund të garantojmë që Tirana të bëhet qytet i jetueshëm.

SHKARKO APP