Lëvizje në kupolën e Policisë së Shtetit, Veliu dekoron Aida Hajnajn
Ndryshimet dhe lëvizjet në kupolën e Policisë së Shtetit, janë të zakonshme. Këtë herë ndryshimet kanë ardhur pasi tek uniformat blu ishte bosh vendi i zv/drejtorit të përgjithshëm. Albert Dervishaj është zv/drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit pas zgjedhjes së Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kurse Pëllumb Seferi është emëruar drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ndërsa Idajet Faskaj është emëruar drejtor i Drejtorisë së mbrojtjes së dëshmitarëve të Drejtësisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë një ceremonie për të vlerësuar punën e Hajnajt, i ka dorëzuar certifikatën për shërbime të dalluara me motivacionin ”Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për zhvillimin e vazhdueshëm të standarteve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Veliu ka vlerësuar maksimalisht punën, integritetin dhe kontributin e Hajnaj për më shumë se dy dekada në Polici dhe i ka uruar asaj suksese në detyrën e re shumë të rëndësishme. Aida Hajnaj, ka falënderuar Veliun për vlerësimin dhe mbështetjen gjatë kryerjes së detyrës në rolin e Zv/Drejtoreshës dhe njëkohësisht ka vlerësuar e falënderuar gjithë kolegët që ajo ka punuar gjatë këtyre viteve në Polici. Nga ana tjetër, Veliu ka bërë prezent edhe disa ndryshime me qëllim dhënien e një implusi të ri por edhe për shkak të largimit të zv/drejtoreshës Hajnaj.
”Me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me miratim të Ministrit të Brendshëm, ka marrë gradën Drejtues i Lartë dhe është emëruar në detyrën e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Albert Dervishi, deri sot në detyrën e Drejtorit të Rendit. Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë, Idajet Faskaj, është liruar nga kjo detyrë dhe është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe ka marrë gradën Drejtues i Parë. Drejtori i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues i Parë Pëllumb Seferi, është emëruar Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ka marrë gradën Drejtues i Lartë”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.