Lëvizje në oraret e ndaluara, gjobiten 190 persona! 98 shoferëve u hiqet patenta

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 98 shoferë që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, si dhe është arrestuar në Kavajë K. A., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë në oraret kufizuese, 190 persona, të cilët qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara, pa ndonjë shkak apo arsye dhe për këtë u ndëshkuan me masën administrative 10.000 lekë, ndërsa 2 prej tyre, në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë, për kundërshtim të punonjësit të Policisë.

Këto masa janë ndërmarrë në zbatim të urdhrave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.

SHKARKO APP