Lezha në rrezik të madh nga përmbytjet, qytetarët: Nëse vazhdon kështu nesër është rrafsh
Reshjet e shiut të rëna me intensitet të lartë gjatë 24 orëve të fundit sollën përmbytje dhe rrëshqitje dherash në rajonin e Lezhës.
Lumi Drin doli nga shtrati në disa pika, duke përmbytur një pjesë të shëtitores në qytet si dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore në lagjen e ish-frutores, Balldre dhe Gocaj.
Banorët thonë se kjo situatë nuk ishte parë që prej vitit 2002, teksa ndjehen të frikësuar nëse reshjet do të vazhdojnë me këtë intensitet.
“Ka dalë uji deri te shkallët. Nëse vazhdon deri nesër në mëngjes e ke rrafsh gjithçka.”
Gjithashtu vërshimi i kanalit të ujërave të larta bllokoi akset rrugore që lidhin fshatrat Kallmet dhe Mërqi. Në superstradën Lezhë-Shkodër dhe nga kjo situatë rrezikoi jetën dhe një qytetar, pasi motori me të cilin lëvizte u mor nga rrjedha e ujit në Mërqi.
Krahas qindrave hektarë tokë bujqësore në Zadrimë dhe Torovicë, përmbytjes si shpëtuan as varrezat e fshatit Gocaj në Lezhë.
Situatë mjaft problematike paraqitet edhe në lagjen e spitalit në qytetin e Lezhës.
Një masiv i konsiderueshëm dherash dhe gurësh ka rrëshqitur, duke rrezikuar shembjen e disa banesave.
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu thotë se janë evakuuar disa familje në këtë zonë, teksa tha se mungesa e energjisë në hidrovore gjatë natës ka ndikuar në përkeqësimin e situatës.
“Duhet thënë që situata është e rënduar, e rrezikshme vende-vende. Në lagjen e spitalit ka rrëshqitur dheu dhe ka rrezik edhe në disa banesa. Nga rrëshqitja rrezikojnë edhe disa banesa poshtë.”
Hidrocentralet e Matit dhe Shkopetit kanë nisur shkarkimet, por prefekti i Lezhës thonë se nuk ndikojnë në përmbytje.
“Jan rreth 2000 hektarë tokë bujqësore që kanë prezencë uji në tokë. Lumi që kemi pranë, Drini është në kuotat e veta maksimale, ç’ka mund të na shkaktojë probleme.”
Në orët e mëngjesit të se premtes pati përmbytje edhe në disa zona të qytetit të Lezhës, por me rënien e intensitetit të reshjeve uji u tërhoq dhe situata u normalizuar.