L*ftë në Ballkan? Niko Peleshi i përgjigjet deklaratave të Zelensky-t: Rreziku ekziston
“Ku ka konflikte të fjetura, rreziku për t’u rizgjuar ekziston”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i pyetur nga gazetarët në Korçë, lidhur me deklaratën e presidentit ukrainas Zelensky, i cili paralajmëroi se në Ballkan mund të niste një luftë. Sipas Peleshit, ekuilibrat kanë ndryshuar.
“Nuk është ky konteksti besoj, por gjithsesi ka një të vërtetë që pas agresionit rus në Ukrainë situata gjeopolitike, stabiliteti është goditur. Kemi një rikthim në atë që mendonim se nuk do të ndodhte, në politikën e zonave të influencës por ja që agresioni rus në Ukrainë e solli dhe kjo na sjell tronditje të shumë ekuilibrave ndërkohë që në rajone si Ballkani Perëndimor ku ka konflikte të fjetura, rreziku për t’u rizgjuar ekziston.
Tre nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO, Kosova është vend aspirant, të gjithë vendet duan të bëhen pjesë e BE. Ka shtete si Serbia që e quajnë veten vende neutrale, që në qoftë se do të ishte ndryshe, Ballkani do të ishte më stabël ku të gjithë të ishim pjesë e Alencës dhe kufiri me lindjen kërcënuese të ishte i përcaktuar qartësisht. Nuk jemi në atë gjendje ndaj e ne jemi vazhdimisht të interesuar e të shqetësuar për zhvillimet në Ukrainë, sepse e kemi parë që pas luftës aty disa vatra tensioni janë riaktivizuar. Kemi agresionin e 24 Shtatorit, një agresion që meriton të quhet terrorist. Këto janë shenja jo të një kërcënimi aq të madh sa të flasim për luftë, por gjithsesi duhet të jemi të vëmendshëm”.