Liberalizimi i testimeve, Shehu: Vendim gjysmak për të hequr përgjegjësitë për çfarë u “gatua” për muaj të tërë
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu deklaron se qeveria u kujtua tepër vonë [për të liberalizuar testimet për koronavirusin.
““Liberalizimi” i sotëm i testimeve, si “tufezët dhe arrëzat” e Alisë!
Tepër vonë u “kujtua” sot Qeveria (si dikur Ramizi), pra pyetja e pare vjen natyrshëm: pse u humbën muaj të tërë të çmuar? Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë e pasojat e rënda të saj?
Nga ana tjetër, ky vendim është gjysmak përderisa përfshin vetëm metodat serologjike e jo edhe ato molekulare (me tampon), të domosdoshme këto për t’u liberalizuar si nga ana epidemiologjike, për rëndësinë klinike, ashtu e lëvizjen e qytetarëve.
Edhe për testimet serologjike që janë minimalisht IgM e IgG flitet në mënyrë konfuze e kufizuese, nuk ndahen as në Kromatografike si orientuese që mund të realizohen dhe në farmaci, nga ato me Elisa apo me Luminishencë, që shërbejnë edhe për të dhëna zyrtare.
Vendimi flet si për t’u justifikuar për “plazmën imune”, sikur zbulon “Amerikën”, jua kemi përmendur kohë më parë!
Ndërsa vazhdojnë të dy laboratoret publike (PCR e serologjike) të punojnë pa publikuar asnjë karakteristikë të kiteve, kërkohet me të drejtë nga ato jo publike për të paraqitur karakteristikat e testeve të tyre imunologjike, që do të përdorin, kontradiktore kjo?! Etj, etj….
Kështu materiali i paraqitur sot duket që është një improvizim nën presion, amulli, thjesht për të hequr përgjegjësitë për çfarë u “gatua” për muaj të tërë.
Në këto kushte autorët duhet të përqendrohen më tej, të bëjnë atë që duhet bërë e të përgatisin një dokument të vlefshëm, së paku tashti.
Pa dyshim një asistencë ndërkombëtare edhe për këtë është e domosdoshme”, tha Shehu.