Liberalizohen shërbimet minerare. Bejtja: Jo më licencë për ekspertët, vetëm procedura certifikimi
Ushtrimi i veprimtarisë së shërbimeve të ekspertizës apo profesionale lidhur me burimet minerare do të jetë i lirë, pa qenë e domosdoshme pajisja me licencën e deritanishme.
”Gjithçka përcaktohet në disa ndryshime në ligjin “Për sektorin minerar”, që u miratua në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.
Ligji i ri parashikon shfuqizimin e licencës “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare”, ndërsa parashikon që veprimtaritë studimore projektuese në fushën minerare mund të kryhen vetëm nga subjektet e certifikuara për këtë qëllim.
Kriteret e certifikimit mbeten të pandryshuara. Ndërkaq, ligji i ri saktëson dhe kohëzgjatjen e licencave që tashmë janë dhënë.
Këto ndryshime vijojnë në kuadër të reformës së de-rregullimit, duke synuar krijimin e lehtësirave të mëtejshme për përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative. Në bazë të kësaj reforme janë 23 lloje licencash që do të eliminohen. /Scan