Zonat e mbrojtura, Zhupa nga Shkodra: Ligjin do ta çojmë në Kushtetuese!
Ditën e sotme, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ishte e pranishme në Shkodër, aty ku ajo organizoi një tryezë, ku tema që u diskutua ishte Ligji i ri “Për Zonat e Mbrojtura”.
Zhupa u shpreh se nga ky ligj përfitojnë vetëm oligarkët, të cilët synojnë të ndërtojnë hotele dhe resorte me 5 yje. Ajo tha se me një padi, do të mundohet “të ndalojë atë gjë që kanë vendosur një qeveri e disa deputet të cilët nuk e kanë as të drejtën morale dhe as të drejtën ligjore që me “vendimmarrjet e tyre të cenojnë atë që i ndodh Shqipërisë për breza e ardhshëm”.
Fjalimi i Ina Zhupës:
“Siç Ju e dini, unë kam nisur një tur në gjithë Shqipërinë në bashkëpunim me ekspert, me shoqërinë civile për të ndërgjegjësuar dhe sensibilizuar opinionin publik mbi dëmet dhe pasojat që sjell ligji i ri «Për Zonat e Mbrojtura». Po dhe për të qenë si një forum qytetar ku ngrihen gjitha problematikat ligjore dhe përtej ligjore, si mjedisore, shëndetësore dhe kulturore që sjell ky ligj. Në mënyrë të tillë që ne të jemi të përgatitur edhe për betejën tonë të radhës, në rast se Presidenti i Republikës e kalon ligjin dhe ligji hyn në fuqi, për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese ku do të jemi krah për krah me shoqërinë civile, me ekspertët. Me një padi e cila do të mundohet që të ndaloj atë gjë që kanë vendosur një qeveri e disa deputet të cilët nuk e kanë as të drejtën morale dhe as të drejtën ligjore që me vendimmarrjet e tyre të cenojnë atë që i ndodh Shqipërisë për breza e ardhshëm për vite të tëra përtej qeverisjes së tyre. Asnjë qeveri në fakt nuk e ka këtë mandat që të marri vendimmarrje që shkojnë përtej rikuperimit që mund t`i bëhet përtej mandatit të saj.
Sepse politikat ekonomike, politikat financiare, politikat sociale, sjellin vërtet dëme të mëdha kur bëhen të këqija. Por ama në mandat të një qeverie tjetër me politika të ndryshme, me ideologji tjera mund të rikuperohen. Kurse kur ndërhyn në trashëgiminë kulturore dhe në trashëgiminë natyrore të një vendi, edhe po të ndryshosh qeverisjen nesër, nuk e kthen dot një monument të shkatërruar ashtu siç ka qenë. Nuk e kthen dot një zonë të mbrojtur që është shkatërruar, ashtu siç ka qenë. Ndaj sensibiliteti duhet të jetë shumë i lartë dhe ndërgjegjja qytetare për këtë çështje. Unë e mirëkuptoj fare mirë që përditshmëria e jetës së vështirë ekonomike bënë ndonjëherë që të mos merren me një gjë që e shikojnë larg vetes.
Por pikërisht për këtë arsye kemi nisur dhe këto tryeza edhe me vendimmarrës të pushtetit lokal, gëzohem edhe që janë anëtar të këshillit bashkiak, më shoqërinë civile, me ekspert, me profesorë për të rritur komunikimin publik mbi këto çështje, ndërgjegjësimin e diskutimin përtej partiak por thjeshtë dhe vetëm civil, social, politik. Sigurisht çdo gjë është vendimmarrje politike dhe ne jemi qenie politike por jo si një kauzë partiake por si një kauzë qytetare e cila ju vlen të gjithëve pa asnjë dallim sepse njësoj ndikohemi si demokrat, si socialistët nëqoftëse po ju shkatërrohet mjedisi dhe ajo që është Shqipëria dhe atë do ti lëmë trashëgim fëmijëve tanë nesër. Bashkia Shkodër ka rreth 20 mijë hektar Zonë të Mbrojtur ku Velipoja ka 640 hektar Zonë të Mbrojtur.Në parashikimet që ka ky ligj, për ta kthyer shikimin tek Shkodra edhe për të kuptuar dhe ligjin, është që cilido oligark dhe e nënvizoj oligark dhe jo qytetar dhe jo 1 individ i thjeshtë i cili mund të gëzoj edhe një titull pronësie atje apo një individi i cili në komunitetin e vet lokal do të ngrejë një biznes sado të vogël apo modest, me struktura druri, brenda zonave të mbrojtura, nuk bëhet fjalë për këta.
Bëhet fjalë për oligark të cilët do të ndërtojnë siç thotë ligji, resorte gjigante me 5 yje. Bëhet fjalë për ndërhyrje në infrastrukturën e këtyre zonave për t`i shërbyer medemek interesit publik, që nga gazi, që nga aeroport në Zonën e Nartës që Ju i keni ndjekur. Pra bëhet fjalë për ndërtime masive, betoni masiv, përçudnimi i këtyre zonave të mbrojtura me qëllim që të përfitoj një klient i pushtetit, një oligark i cili atje të pastroj edhe paratë e paligjshme në fakt sepse nuk kemi këto lloj biznesmenësh në Shqipëri po mos të jenë të lidhur me pushtetin që ti dhurojmë tokën brenda zonave të mbrojtura. Interesi publik shumëzohet me zero, dhe si mund të justifikohet që t’i një pronë publike, një pronë që e gëzojnë të gjithë qytetarët, një pronë e cila ka brenda biodiversitetin dhe larminë e jashtëzakonshme të florës dha faunës, të vlerave që ka edhe për shëndetin edhe për natyrën e vendit t`i kthesh nga sot nesër në një pronë private për pasurimin dhe për xhepin personal të X klienti të pushtetit.”