Ligji për Arsimin, debate në Kuvend Ruçi-Pollo

Në seancën parlamentare të kësaj të enjteje kanë nisur diskutimet për projekligjin për arsimin e lartë. Në fjalën e tij, kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka akuzuar mazhorancën për hartimin e një ligji në mënyrë të njëanshme. “Nuk ka pasur asnjë konsultim për këtë projektligj”, ka deklaruar Paloka. Por kreu i grupit të PS, Gramoz Ruçi është përgjigjur duke thënë se, vetë opozita zgjodhi të mos jepte asnjë kontribut për këtë ligj. “Nuk është përgjegjësi e mazhorancës, që deputetët e opozitës të bëhen bllokues dhe jo kontribues. Ata kishin gjithë kohën e domosdoshme për 4 muaj rresht që ta shqyrtonin”, ka thënë Ruçi. Sipas tij, komisioni i arsimit ka bërë një punë maratonë me seanca dëgjimore, me të gjitha grupet e interesit.  Ruçi ka shprehur më tej gatishmërinë e mazhorancës për ta diskutuar me opozitën ligjin, por jo për të vajtur me bisedime shterpë.

DEBATET E PLOTA

Ruçi:

"Ju mungon vullneti për opozitë, por s’mund të zvarrisni projektligjin “Projektligji për Arsimin e Lartë është depozituar në parlament më 10 prill dhe ka qenë në axhendë qysh nga ajo kohë. Dy komisione të cilat drejtohen nga opozita, i Medias dhe i Çështjeve Sociale nuk kanë qenë të fokusuar për të përmbushur detyrën e tyre për katër muaj rresht. Komisioni i Çështjeve sociale, e ka kërkuar vetë kryetarja që të ishte objekt shqyrtimi edhe në këtë komision dhe konferenca e kryetarëve e ka mirëpritur kërkesën e saj. Prej 4 muajsh rresht nuk është zhvilluar asnjë mbledhje nga ky komision. Kjo tregon se opozita nuk është e interesuar për të bërë oponencën e vet për një ligj kaq të rëndësishëm por është e interesuar për ta bllokuar. Ne këtu nuk kemi votuar që të mos zhvillojmë reformat, por jemi për të zbatuar të gjitha procedurat parlamentar. Kolegët opozitarë që drejtojnë komisionet duhet të jenë jo bllokues por kontribuues. Nuk kishin ligj tjetër më të rëndësishëm se ky për të diskutuar. Në mënyrë racionale ditë pas dite të uleshin e të diskutonin. Komisioni i Arsimit ka bërë një punë të admirueshme ku ka zhvilluar një maratonë të tërë seancash dëgjimore nga të gjitha grupet e interesit, si në diskutimet në parim si në diskutimet nen për nen që ka përfunduar në orët e para të mëngjesit. Kur mungon vullneti është e drejta juaj të keni vërejtje, propozime, të ndikoni me argumentet tuaja, por nuk keni të drejtë për ta penguar, për ta zvarritur dhe kjo është e papranueshme prandaj zotërinj të opozitës ne jemi të gatshëm ta diskutojmë sigurisht diskutimet në mënyrë shteruese janë zhvilluar në seancat përkatëse dhe jemi të gatshëm të diskutojmë po kaq në mënyrë shteruese edhe në sallën e parlamentit”. 

Pollo:

"Kemi punuar deri në të gdhirë, nuk mund t’na bëni me faj se jam kryetar opozitar! “Kjo periudhë ka konciduar me periudhën e fushatës zgjedhore, dhe me konsensus në komisionin e Medias nuk janë bërë mbledhje e nuk ka mundur të shqyrtohet as ky projektligj. Problemi nuk është tek pengesat artificiale. Në mbledhjen e fundit të konferencës së kryetarëve zoti Ruçi propozoi që projektligjet e 23 korrikut të afroheshin një javë përpara. Fjala ime në këtë mbledhje ka qenë: bazuar në kalendarin e komisionit, në rëndësinë e ligjit për arsimin e lartë, është fizikisht e pamundur për komisionin, për anëtarët e tij të mazhorancës e të opozitës që të bëhej në një periudhë të tillë të shkurtuar. Ju keni thënë le ta vëmë në këtë datë dhe po nuk e mbaruam do të shtyhet siç bëhet me të gjitha projektligjet. Është e gabuar dhe e pandershme që faji nëse ka të tillë, për një vonesë ­nëse ka të tillë ti lihet komisionit të Medias se ky ka një kryetar që vjen nga opozita. Kemi punuar të martën deri në orën 03:30 dhe dje deri në orën 01:30 për të përfunduar, me presion për të ndërprerë diskutime të arsyeshme që vinin për ndryshime të rëndësishme që donin t’i bënin ligjit. Duhen 48 orë që deputetët të njihen me një raport që ka ndryshime të rëndësishme, ka një mendim opozite ku tregohen ndryshimet që kemi propozuar dhe që nuk janë miratuar si dhe propozimet që ne kemi bërë. Nuk mund të përfshihet sot në seancë projektligji për arsimin e lartë”.

SHKARKO APP