Ligji për Arsimin e Lartë, 200 pedagogë, memorandum kundër draftit

 

Rreth 200 pedagogë të Universiteteve publike, të mbështetur nga mijëra qytetare dhe studentë pritet të hartojnë brenda disa orësh një memorandum kundër Projektligjit mbi Arsimin e Larte për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo bëhet e ditur nga shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, Artan Fuga, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

“200 pedagogë të universiteteve publike, të mbështetur nga mijëra qytetarë, bëhen gati të paraqesin brenda disa orësh, në Kuvendin e Shqipërisë, në emër të një opinioni shumë të gjerë pedagogesh dhe studentor, Memorandumin kundër Projektligjit mbi Arsimin e Lartë”,shkruan Fuga.

Projektligji i Arsimit të Lartë është kundërshtuar nga akademikë e nga vetë studentët e universiteteve publike që në nisjen e bisedimeve dhe hartimit të tij, pasi sipas tyre ky projektligj rëndon direkt mbi xhepat e studentëve të publikut duke mbështetur dhe fuqizuar universitetet private.

Megjithatë ministria nuk është tërhequr nga ky projektligj i cili pritet të kalojë së shpejti në Kuvend.

SHKARKO APP